Një person është aksidentuar për vdekje në hyrje të qytetit të Kuçovës. Aksidenti është regjistruar në orën 06:30 minuta në vendin e quajtur “Meteor”. Mësohet se një 30-vjeçar që ishte duke qarkulluar me automjetin e tij, tip Fiat Punto, me targa AA 667 LK, ka përplasur një burrë rreth 70-vjeç që po udhëtonte me biçikletë në rrugë.
Mjeti që drejtohej nga Marineo Bregu dhe i moshuar që lëvizte me biçikletë ishin duke qarkulluar në të njëjtin sens kur makina e ka goditur të moshuarin nga pas.
Fillimisht 70-vjeçari ka fluturuar në xhamin e përparmë të mjetit dhe më pas ka rënë në rrugë. Trupi i të moshuarit ka ngelur disa minuta pa jetë në rrugë, në pritje të ambulancës dhe më pas është transportuar në Morgun e Spitalit Rajonal të Beratit.
Ende nuk dihet identiteti i viktimës dhe vendbanimi i tij, ndërkohë që në morg nuk ka mbërritur ende asnjë familjar i viktimës. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie dhe ekspertë të qarkullimit rrugor, të cilët kanë kryer edhe këqyrjen e vendit të ngjarjes. Sipas policisë, shkak për aksidentin e rëndë është bërë shpejtësia me të cilën automjeti ishte duke qarkulluar në këtë rrugë.
Berat/ Informacion paraprak:
Sot, rreth orës 06:00, në fshatin Meteor, në aksin rrugor Kuçovë-Dimal, shtetasi M. B., 30 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Fiat” ka aksidentuar një shtetas ende të paidentifikuar që lëvizte me biçikletë dhe i cili si pasojë e aksidentit ka humbur jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.