Drejtori i Informacionit në Shijak TV, Basir Çollaku ka dhënë një intervistë sa i takon ngjarjeve kriminale të ndodhura në vend, ku brenda pak orëve janë shënuar 4 persona të vrarë, së fundmi dy prej tyre u ekzekutuan në atentatin e Vlorës.
Çollaku tha se vihej re një ngjashmëri e madhe mes krimeve të kryera në javët e fundit në vend, ku pas atentatit makina digjej dhe autorët nuk zbulohen, në intervistën e dhënë për Faxnews. Ai shtoi se policia nuk kishte asnjë lloj fuqie ndaj tyre dhe se mënyra sesi ngjarjet po kalohen pa u zbardhur, duket dikur kishte një lloj ortakërie mes grupeve të caktuara dhe segmenteve të shtetit.
“Reagimi i policisë ka qenë i pamjaftueshëm sa i përket këtyre ngjarjeve kriminale në vend. Kjo rënie dhe shkrehje totale ka të bëjë me ortakëri. Duket sikur është një grup vrasësish, mund të jenë ushtarakë ose nuk i dihet, por mënyra sesi ata po i kryejnë këto ekzekutime është shumë e ngjashme.
Na është bërë policia e shtetit si shërbim zjarrfikës, shkojnë vetëm për të fikur zjarret. Duket sikur policia nuk do ta çojë një ngjarje deri në fund. Ngutja e saj për të dalë në përfundime, duket sikur pjesë e segmenteve të drejtësisë janë marrë me qera, nga larg qoftë, bandat kriminale të cilat po bëjnë krime pa u ndëshkuar dhe pa u hetuar.
Ka vrasje në plazh, në qytete, në mes të ditës, në mes të mbrëmjes kur lëvizja është maksimale, autorët nuk kanë frikë, nuk ruhen se mos i kap policia. Parandalimi nuk ka rezultat. Policia i ka të listuar elementët e grupeve kriminalë, por çfarë ndodh këta persona që janë fuqizuar ekonomikisht janë liruar nga dikush që ta bëjnë këtë gjë. Kur hesapet prishen, armët dalin nga brezat e çunave problematikë që tashmë janë bërë çuna zyrtarë dhe shkrepen”– u shpreh Çollaku.
Burimi: Faxweb