I ftuar në studion e “Fax News”, kreu i Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta tha se janë një sërë problematikash aktualisht në radhët e policisë, si një profesion me risk të lartë.
Fishta u shpreh se është e nevojshme të rishikohen pagat e punonjësve të policisë ashtu si dhe kushtet e punës. Ai tha ndër të tjera se sindikata në bashkëpunim me drejtorinë e Përgjithshme të policisë ka nxjerrë një kontratë kolektive që shërben për mbrojtjen e interesave të efektivëve.
“Policia si pjesë e administratës publike ka problemet e veta, si sociale e profesionale por kryesisht ka nevojë për të riparë pozicionin e saj me pagesat. Profesion i vështirë, rrisku shtohet çdo ditë e më tepër. Mbi 267 punonjës policie që kanë rënë në detyrë.
Janë qindra të tjerë të plagosur, duke ditur se çfarë i privohet me përfitimet apo të drejtat që ka një punonjës tjetër, që nga mbajtja e uniformës, përdorimi i armës, dhe kur jashtë orarit të punës të paraqitet, edhe kushtet e punës kur një pjesë e mirë vijnë nga distanca të largëta.
Puna me 10 apo 12 orë sidomos në periudhën e sezonit turistik kur ngarkesa është e madhe.
Sindikata është palë e tretë për të gjithë punonjësit, mbrojmë gjithmonë interesat e tyre.Një pjesë e mirë e policisë po plaket, kemi moshën mesatare 48 vjeç
Një ndër sukseset e sindikatës dhe nga vlerësimet e drejtorisë së përgjitshme nxorëm një kontratë kolektive që është përmbledhje e akteve ligjore që rregullojnë marrëdhënien mes punëdhënësit dhe punëmarrësit në organizatën e policisë, që me 20 korrik ka hyrë në fuqi.
Në rast se rroga nuk jepet në afat, nga kontrata ka një përqindje që i shtohet rrogës nga kjo kontratë. Sot sindikata është partner me drejtorinë e përgjithshme për të zgjidhur të gjitha problemet, për të marrë të gjitha përfititmet për punonjësit”-tha Fishta.