E ka nisur me një batutë kryeministri Edi Rama fjalën e tij në ceremoninë e nderimit për kampionen Luiza Gega. Rama tregoi para të pranishmëve se Gega mundi një gjermane, duke e lënë pas në garën me pengesa, ndërsa me ironi kujtoi deklaratën e dikurshme të paraardhësit të tij, Sali Berisha në Kryeministri.
Sipas Ramës, dikur thuhej se “jemi të dytët, pas Gjermanisë”, ndërsa shtoi se në atë sallë për herë të parë Gjermania është sot pas Shqipërisë.
“E dashur Luiza e fort admiruar, kampionë, tani më edhe e Europës, është krenari dhe privilegj i veçantë që të kemi sot këtu mes nesh. Në një përpjekje për të thënë faleminderit, jo doemos me fjalët e nevojshme. Kjo arritje të lë pa fjalë. Po të paktën me të gjithë ceremonialin që ofron shteti. Më vjen mirë që rastësia e deshi që sot të prezantohesha dhe me ambasadoren e re të BE në Shqipëri, të cilës i kërkova që të qëndrojë pas takimit për të kremtuar një kampione europane që mundi një gjermane.
Nuk na ndodh shpesh që të lëmë pas Gjermaninë. Para ca kohësh dikush thoshte jemi të dytët pas Gjermanisë. Por sot këtu në këtë sallë, Gjermania është e dyta pas Shqipërisë. Dhe tek adrenalina që gara prodhon për njerëzit, shteti kohë që e ka pranuar se e ka humbur rivaliteti me sportin. shteti ka kohë që e ka pranuar se e ka humbur rivaliteti me sportin. Kur e pyesnin se cili është sporti jot i preferuar, Churchill thoshte: jo, jo, sport kurrë… Sepse Churchilli si amator i notit ishte një atlet i shquar i puros por ndihej shumë i sfiduar nga sporti kur nuk ia hidhte dot me brilancën e oratorisë, dhe parapëlqente.
Megjithatë ka diçka që bashkon emrin e tij me triumfin e Luizës, dhe janë katër fjalë të cilat ai i përdori duke i bërë homazhin më të madh sipas meje vetë sporti kur i ngriti në këmbë të gjithë britanikët në luftë, me një recetë mahnitëse, dhe u tha: Nuk kam asgjë për t’ju ofruar veç sfilitje, gjak, lot dhe djersë… dhe në fakt nëse e shohim të gjithë rrugëtimin e Luizës deri kur ka zbritur në pistë, për ato më pak se 10 min që tani i përkasin historisë, janë hapa të pafundëm sfilitje, gjaku, lotësh dhe djerse.
Dhe pikërisht me këto katër fjalë të kthyera në një mënyrë të jetuari Luiza i ka dhënë sportit dhe Shqipërisë letra të reja fisnikërie. Sipërmarrja e saj është marramendëse. Kur mendojmë se çfarë i dhuroi Luiza Shqipërisë, imazhin e një Shqipërie që ia del, me kokën lart me s të gjithë të tjerëve. Është e pamundur të mos e shohim diferencën abisale mes këtyre katër fjalëve kaq të thjeshta dhe kaq të rënda dhe 400 mln fjalëve të tjera të kota që konsumohen përditë dhe që nuk prodhojnë asgjë.”, tha Rama.