Afganët që erdhën në Shqipëri një vit më parë, kur talebanët morën pushtetin, do të qëndrojnë në vendin tonë edhe 6 muaj të tjerë. Ky është vendimi i marrë dje nga Këshilli i Ministrave dhe i firmosur nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, në mungesë të Kryeministrit Edi Rama. Një vit pasi mbërritën në Shqipëri, pasi talebanët morën pushtetin, qeveria ka vendosur që të zgjasë me 6 muaj qëndrimin e afganëve në vendin tonë.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 82, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Pas pikës 2, të vendimit nr.501, datë 25.8.2021, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje: “2/1. Me përfundimin e afatit të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, personave, që ndodhen ende në territorin e Republikës së Shqipërisë, u shtyhet qëndrimi dhe me 6 (gjashtë) muaj të tjerë”. 2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në ‘Fletoren zyrtare’”, thuhet në VKM.
2400 afganë u strehuan përkohësisht në Shqipëri në 2021 pasi jeta e tyre rrezikohej nga talibanët që erdhën në pushtet. Një pjesë shumë e vogël e tyre janë larguar në SHBA, teksa 2,100 të tjerë qëndrojnë në Shëngjin dhe Durrës në pritje të vizave. Shqipëria ishte ndër vendet e para që u ofrua të presë qytetarët afganë që u detyruan të linin vendin e tyre për shkak të kërcënimit nga talebanët. Autoritetet shqiptare u shprehën të gatshëm të strehonin deri në 4 mijë persona. Qytetarët afganë që janë strehuar në Shqipëri me kërkesë të SHBA dhe vendim te qeverisë shqiptare, pas largimit të amerikanëve nga Afganistani dhe marrjes së pushtetit nga talebanët, janë strehuar në zona rezidenciale në Durrës dhe Shëngjin. Mjaft qytetarë afganë të vendosur në Shqipëri po presin aprovimin e procedurave të azilit dhe se duan të shkojnë në SHBA.