“Mëkati i madh i Bajramit tonë”, gazetarja shkruan për Edvin Shvarc: Katër presidentë kanë punuar me të, ka qenë një privilegj dhe për vetë ata

0
132
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shkruan Beti Njuma

“Jetojmë në një botë politike,
ku dashuria s’ka vend.
Gjallojmë në kohë kur njerëzit krime bëjnë
dhe krimet fytyrë nuk kanë.”

Sot zyrtari në krye të shtetit që nuk më nxë goja ta quaj president kreu një krim. Por ndryshe nga sa këndon Bob Dylan tek këto vargje të së famshmes “Botë Politike” krimi e ka një emër dhe fytyrë: Edvin Shvarc! Por jam e bindur që Bajram Begaj nuk e ka dëgjuar këngën e njohur të kantautorit dhe nobelistit të famshëm. E aq më pak ta dijë se ajo është përkthyer në shqip një dekadë më parë nga Edvin Shvarc, përkthyesi i njohur i atit po aq të njohur Robert Shvarc.

Edvin Shvarci që ç’është e vërteta nuk ka jetuar kurrë nën hijen e babait të tij, na e solli në shqip Dylan-in para se të fitonte Nobelin, ashtu sikundër ka sjellë në shqip edhe nobelistët e tjerë Eli Vizel apo Isak Bashevis Singer. Sigurisht që Presidenti ynë nuk i di këto, nuk i ka kënduar këta autorë e mbase as ato që ka përkthyer i ati Robert Shvarc sepse përndryshe do ish menduar dy herë për ta larguar nga puna me një motivacion qesharak.

Po nejse, mungesa e kulturës letrare është një faj i vogël në raport me mëkatet e mëdha të një ish ushtaraku që tani, pasi la tavllën tek Brryli (dhe kjo nuk është metaforë) merret me hallet e mëdha të shtetit.

Përkundrazi, mëkati i Bajramit tonë është edhe më i madh! Ai ka larguar nga puna një nga nëpunësit më të aftë të shtetit shqiptar, një nga punëtorët më të palodhur, një nga njerëzit më të përkorë që i ka shërbyer në mënyrë të shkëlqyer 4 presidentëve të tjerë aspak anonimë në popull e me një profil shumë të lartë politik. Ish student dhjetori, Edvin Shvarc ka përfunduar me rezultatet të larta për letërsi të krahasuar në një nga universitetet më të mira amerikane, Brooklin College of the City University of Neë York dhe për çudi, Bajrami ynë pas gati dy dekadave në Presidencë e ka shkarkuar sepse nuk ka konvertuar diplomën e shkollës në Amerikë. Turp! Turp më të madh nuk mund të ketë!

Të largosh nga puna njeriun që ka shërbyer me devotshmëri duke drejtuar zyrën e Marrëdhënieve me Jashtë, dhe Komunikimin e Protokollin në Presidencë në një kohë kur profesionistët po i largohen vendit është një luks që Begaj nuk duhej t’ia lejonte vetes.

Të gjithë presidentët e mëparshëm kanë punuar me Edvin Shvarcin dhe ky ka qenë një privilegj për vetë krerët e shtetit!

Dhe po e mbyll sërish me Botën Politike të Dylan:

“Jetojmë në një botë politike,

ku mençuria është plasur në burg,

në qeli kalbet dhe si dreqi është keqdrejtuar

pa i lënë mundësi askujt të gjejë rrugën e duhur.”

Sidoqoftë miq ky lajm nuk më pikëllon. Edvin Shvarci do ta gjejë shumë shpejt vendin që i takon, ashtu sikundër jam e bindur që pas Presidencës, Bajrami do t’i kthehet tavllës tek Brryli!

Zjarr Tv Ad