Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho e cilëson sulmin ndaj Ilir Metës një akt të turpshëm, dëshpërues, të orkestruar nga klika në pushtet dhe të zbatuar nga lakenjtë e tij.
Nesho deklaron se drejtësia e komanduar politikisht, i shërben pushtetit autokrat duke goditur opozitën dhe liderët e saj me qëllim manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme dhe mbajtjen në këmbë të regjimit. Sipas tij, presionet ndaj Ilir Metës si një nga liderët kryesorë të Opozitës së Bashkuar janë presion për të shkatërruar opozitën dhe vrarë pluralizmin në Shqipëri.
DEKLARATA E PLOTË
Çdo gjë do t’ju kthehet në bumerang; Asgjë nuk na ndal në rrugën tonë
Sulmi i fundit politik ndaj kryetarit të Partisë, zotit Ilir Meta, është një akt i turpshëm, dëshpërues, i orkestruar nga klika në pushtet dhe i zbatuar nga lakenjtë e tij. Ajo që po shikon sot opinioni publik është një drejtësi e komanduar politikisht, e blerë moralisht, e mbaruar profesionalisht, që ka për qëllim të ruajë vetëm interesat e saj; një drejtësi që i shërben pushtetit autokrat duke goditur opozitën dhe liderët e saj me qëllim manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme dhe mbajtjen në këmbë të regjimit; një drejtësi që mbyll sytë ndaj grabitësve të popullit dhe pronës publike në aferën e inceneratorëve 430 milionë euro, të Portit të Durrësit, abuzimet në infrastrukturë, në PPP, por është e gatshme të mbajë hapur procese për mos njohjen e Partisë Demokratike me mbi 700 mijë simpatizantë; një drejtësi e vdekur përpara se të rilindte, e shtrirë në këmbët e autokratit.
Presionet ndaj Ilir Metës si një nga liderët kryesorë të Opozitës së Bashkuar është presion për të shkatërruar opozitën dhe vrarë pluralizmin në Shqipëri. Ai është lider me vizion, këmbëngulës, trim dhe atdhetar. Ai nuk u ble dhe nuk u nënshtrua kur Rilindja e zgjodhi si President të vendit, ai nuk u thye por luftoi në mbrojtje të Kushtetutës dhe shtetit ligjor, edhe i vetëm në betejë; Ai nuk u tërhoq kur shteti i kapur manipuloi dhe vodhi votat e partisë së tij për ta nxjerrë nga skema politike; Ai nuk u tremb kur falsifikatorët e pushtetit dhe të institucioneve të pavarura kërkuan t’i manipulojnë dosjen e tij.
Një tribun popullor dhe luftëtar i lirisë nuk mund të trembet nga një klikë e dështuar, bashkëpunuese me krimin dhe abuzuese e pasurisë popullore. Raportet e tij janë me popullin dhe jo me institucionet e kapura të një shteti të kapur.
Shqipëria sot është në një nga ditët më të errëta kur demokracia Shqiptare është drejt shkatërrimit. Për të gjithë ata që mendojnë se ‘të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe drejtësia po vepron’ po ju themi që të mos bëhen avokatë të një çështje të humbur dhe të diktatorëve të rinj. Shqipëria nuk ka ligj, nuk ka drejtësi. Edhe sikur pas sulmit ndaj Presidentit Meta të arrestohen 2-4 ministra të korruptuar për balancë, kjo nuk është drejtësi përderisa kreu i kupolës mbetet i paprekur. Drejtësia sot drejtohet nga dëshirat dhe interesat e Autokratit Rama.
Ne i drejtohemi regjimit që çdo gjë që po bëni sot do t’ju kthehet si bumerang. Është populli që vendos dhe jo skemat perverse që ju shpikni çdo ditë për të shpëtuar pushtetin tuaj të korruptuar. Dhe populli do të flasë shumë shpejt.
Agim Nesho
Nën Kryetar i Partisë së Lirisë