Nga Enver Bytyçi
Sepse ai sa herë flet i përmbahet parimit të mos shkelë “vijën e kuqe” të Beogradit. Edi Rama flet për Kosovën, por asnjëherë për veriun e saj! Flet për liberalizimin e vizave dhe kritikon ashpër Europën për këtë. Për mendimin tim bën mirë. Por kurrë nuk e dëgjuam të flasë për integritetin territorial të Kosovës, as për atë që quhet Asosacion i Komunave Serbe në Kosovë! Rastësi?!
Kryeministri flet për pavarësinë e Kosovës, por jo edhe për institucionet dhe shtetësinë e saj, aq më pak për shtrirjen e sovranitetit të këtyre institucioneve në të gjithë territorin, edhe në veri të vendit! Ai i kërkon Kosovës të integrohet në atë që e quajnë “Ballkan i Hapur”! Por asnjëherë nuk i dha garanci për ta respektuar shtetësinë dhe veton që duhet të ketë në këtë iniciativë Kosova, si dhe vendet e tjera të rajonit! Të gjitha këto përbëjnë atë që unë e quaj “vijë e kuqe” të vendosur nga Beogradi, të cilën Edi Rama nuk guxon ta shkelë!
Në fakt fjala “nuk guxon” është krejt relative për Edi Ramën në të gjitha rastet e tjera. Në këtë rast ai bën përjashtim. Tregohet shumë i kujdesshëm, shumë pedant. Nuk shkel caqet që ia kanë vënë në raportet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq! Cilat janë këto caqe? Nga sa thamë më sipër, ato kanë të bëjnë me një marrëveshje midis Tiranës dhe Beogradit zyrtar. Çfarë përmban kjo marrëveshje? As më shumë, as më pak, vetëm ndarjen e Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë!
Sepse për Edi Ramën Serbia është aleat i Shqipërisë dhe i Perëndimit e jo aleat i Rusisë! Prandaj ai kur flet ve në dukje vetëm votat e diplomatëve serbë në OKB e Këshillin e Europës. Rama është i vetmi lider europian që merr në mbrojtje presidentin e Serbisë, Vuçiq, sa i përket refuzimit të tij për të vendosur sanksione kundër Rusisë. Ndërkaq Rusisë i konvenon ky fakt. Ja çfarë thotë Aleksandër Dugin për këtë:
“Nuk kam qëndrim kritik ndaj Serbisë. Serbia është dashuria ime. Pra ne e kuptojmë gjithçka, miqësinë dhe obligimet ndaj Perëndimit… Është një ndjenjë e përgjithshme midis zotit Putin dhe popullit tonë (rus). Pra ne do të qëndrojmë me Serbinë gjithnjë, kur mund të ndihmojmë e kur nuk mundemi. Por ende vendet tona, shoqëritë tona, traditat tona jemi popuj vëllezër e mbase më shumë se vëllezër e motra. Ne e kuptojmë plotësisht atë çfarë Vuçiq po bën. Dhe njëkohësisht çmojmë tepër shumë atë çfarë zoti Dodik në Bosnjë-Hercegovinë po bën. Ajo që bëjnë ata është ndihmesë në këtë situatë kaq kritike. T’u ikësh sanksioneve ndaj Rusisë, ky është veprim heroik, mendoj unë. Kjo gjë do t’i kushtojë shumë Serbisë. Do të provojnë t’ju ndëshkojnë edhe njëherë, siç e kanë bërë gjatë këtyre 30-35 viteve. Por mendoj se kthesa ndaj Serbisë në agjendën gjeopolitike ruse të ringjalljes sllave do të vijë. Dhe atëherë do t’i shihni kur t’i formulojmë synimet në Ballkan. Por tani duhet të përfundojmë këtë që kemi nisur”!
Jo vetëm kaq! E ka dëgjuar dikush Edi Ramën ta qortojë ndonjëherë mikun e tij Aleksandër Vuçiq për deklaratat luftë-nxitëse dhe destabilizuese që ai bën kundër Kosovës dhe rajonit?! Joooo! Ai më shumë i beson gënjeshtrat serbe të “rrezikimit të pushtetit të Vuçiq”, sesa deklarimet për luftë të tij! Ose më saktë, nuk beson në ato gënjeshtra, por e kanë detyruar t’i “besojë” ato! Ndërsa kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani çdo ditë paralajmërojnë rrezikun e retorikës luftë-nxitëse të Aleksandër Vuçiq, Edi Rama hesht! Megjithatë nuk hesht kur është fjala për ta marrë në mbrojtje kreun e shtetit të Serbisë!