Deputetja e PD-së Dhurata Çupi Tyli ka reaguar pas shfaqjes së flamuri kuqezi me yll në festivalin “Sunny Hill” në Tiranë, ku kishte mijëra të rinj të Tiranës. Flamuri me yllin komunist u shfaq teksa do niste performanca e grupit “Asgjë sikur dielli”.
Deputetja e PD Dhurata Çupi Tyli shkruan se 30 vjet pas heqjes së yllit komunist nga flamuri shtetëror i Republikës së Shqipërisë është rishfaqur gjigant atje ku nuk pritej, në festivalin i cili duhet te promovonte kudo simbolet kombëtare të shqiptarëve. Sipas Çupit, organizatorët e festivalit detyrohen një shpjegim dhe një ndjesë. Ajo thekson se as Shqipëria, as rinia, as shoqëria nuk mund të ecin përpara me simbolet e së keqes dhe se ylli në flamurin e Shqipërisë është kthim mbrapa, jo modernizëm.
Postimi i saj:
Një nga vendimet e para të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 22 Marsit 1992 ishte heqja e yllit komunist nga flamuri shtetëror i Republikës së Shqipërisë. 30 vjet më pas, ylli është rishfaqur gjigant atje ku nuk pritej, në festivalin e organizuar ne Tiranë, i cili duhet te promovonte kudo simbolet kombëtare të shqiptarëve.
Ndoshta mijëra të rinjtë që ishin atje për t’u argëtuar nuk e kanë vënë re detajin dhe ndoshta s’u bën as përshtypje, por organizatorët e festivalit na detyrohen një shpjegim dhe një ndjesë.
Shqipëria ka shumë nevojë të promovohet si një vend normal, ku performojnë artistë të mirënjohur, rinia ka shumë nevojë të ketë mundësi për argëtim, shoqëria e ka të domosdoshme të emancipohet. Por as Shqipëria, as rinia, as shoqëria nuk mund të ecin përpara me simbolet e së keqes.
Ylli në flamurin e Shqipërisë është kthim mbrapa, jo modernizëm. Është simbol i diktaturës më gjakatare të Europës që na la të izoluar, që vrau, ndëshkoi, internoi pa gjyq mijëra e mijëra shqiptarë. Është simboli i diktaturës që gjymtoi një shoqëri të tërë nga ana shpirtërore, intelektuale dhe psikologjike. Është simboli i vasalitetit të diktaturës së Enver Hoxhës ndaj Jugosllavisë, simboli i tradhtisë kombëtare të diktaturës komuniste ndaj Kosovës. Ylli në flamurin tonë kombëtar është përdhosje e sakrificës së mijëra e mijëra shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës që dhanë jetën për lirinë dhe për flamurin kuq e zi, pa yllin komunist.
Shqiptarët e meritojnë sot një shpjegim dhe një ndjesë. Jam e bindur se edhe Dua Lipa do të jetë ndier e turpëruar nga ylli komunist në këtë festival në Tiranë!