Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi takoi mësues të klasave të para, me të cilët ndau për herë të parë Abetaren e re të Përbashkët Unike që do të përdoret në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë. Në një publikim në rrjete sociale ministrja Kushi shkruan:
“Sot është dita e parë që mësuesit tanë në të gjithë vendin kthehen nga pushimet dhe fillojnë intensivisht punën për t’u përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor.
Nuk mund të nisnim më mbarë se sa me trajnimet e para të mësuesve për Abetaren e Përbashkët Unike, e cila tashmë është gati dhe këtë shtator do të jetë në duart e çdo vogëlushi.”
Duke qenë se viti i ri shkollor 2022-2023 nis më parë në Kosovë më 1 shtator, e më pas në Shqipëri me 12 shtator, Ministrja Kushi në 1 shtator, së bashku me homologen e saj Arbërie Nagavci do të bëjnë prezantimin e parë të abetares unike për nxënësit e klasave të para.
“Jam shumë e lumtur që në datën 1 shtator do të jem bashkë me Ministren Arbërie Nagavci në ditën e parë të shkollës në Kosovë, ku prej andej do të nisim promovimin e risisë më të bukur për të gjithë nxënësit dhe mësuesit.
Suksese dhe punë të mbarë për të gjithë mësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës!” – përfundon statusin ministrja Kushi.