Kreu i Partisë së Lirisë ka shpërndarë artikullin e medias gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, për lirinë e medias në Shqipëri. Ilir Meta e quan kryeministrin Edi Rama armik të fjalës së lirë dhe u bën thirrje gazetarëve të denoncojnë dhunën dhe shantazhet.
“Shqetësimet serioze me të cilat përballet sot media në Shqipëri, të ngritura me profesionalizëm nga gazeta e madhe gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” janë një këmbanë e fortë alarmi, që i fton të gjithë gazetarët të reflektojnë për mbrojtjen e të drejtave të tyre që dhunohen dhe shkelen nga armiku i fjalës së lirë, Edi Rama”, shkruan Meta ndër të tjera.
Shënimi i plotë i Ilir Metës, kreu i Partisë së Lirisë:
Liria e medias është tregues për gjendjen e demokracisë, kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut dhe përshpejtimin e integrimit europian.
Shqetësimet serioze me të cilat përballet sot media në Shqipëri, të ngritura me profesionalizëm nga gazeta e madhe gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” janë një këmbanë e fortë alarmi, që i fton të gjithë gazetarët të reflektojnë për mbrojtjen e të drejtave të tyre që dhunohen dhe shkelen nga armiku i fjalës së lirë, Edi Rama.
Duke ndarë disa nga konstatimet më serioze në artikullin e FAZ, i ftoj të gjithë gazetarët e pavarur dhe kurajozë, që pa humbur kohë të unifikohen në qëndrime, të denoncojnë hapur dhunën, shantazhin e presionet, gjuhën e urrejtjes e frikësimit, por dhe kushtet e papërshtatshme të punës. Ndryshimi është në dorën tuaj!
Beteja pakompromis për rivendosjen e lirisë dhe pavarësisë së medias, për dinjitetin profesional dhe njerëzor, nuk do ndalet deri ditën kur edhe gazetari i fundit të çlirohet nga presioni i Qeverisë dhe autocensura!
Konstatimet e shkëputura nga artikulli i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”: https://zeitung.faz.net/…/wo…/798295.html…
Në renditjen aktuale të Reporterëve pa Kufij, vendi renditet i 103-ti nga 180 shtete – renditja më e keqe në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri Edi Rama është përgjegjës për renditjen e ulët. Rama i ka denoncuar gazetarët para kamerave si kosha plehrash, parazitë, derra dhe prostituta. Dëmi i shkaktuar ishte i ngjashëm me atë të shkaktuar nga propaganda naziste, pedofilia ose terrorizmi. Për t’iu afruar këtyre synimeve Rama dhe ministrat e tij përdorin edhe mjete ligjore.
Gazetarët e pabindur paditen rregullisht për shpifje në Shqipëri duke u kërcënuar me gjoba dhe sanksione penale. Kryeministri shqiptar gjithashtu kufizon rrjedhën e informacionit për gazetarët e pavarur me të gjitha llojet e rregulloreve dhe ligjeve. Më e njohura është e ashtuquajtura paketë anti-shpifje. Kritikët kanë frikë se Rama dëshiron ta kthejë AMA-n në një agjenci censurimi.