Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta njoftoi se data e para e protestës, pjesë e aksionit opozitar do të njoftohet në 24 orët e ardhshme. Ai u shpreh se protestat do të mbahen përpara parlamentit duke theksuar se ai është vendi ku vidhen çdo ditë qytetarët.
“Nuk është bërë asnjë tentativë e tillë. Dua të bëj të qartë që nuk do të habiteni që në mënyrë të vazhdueshme të jem përpara parlamentit bashkë me qytetarët që ndihen të papërfaqësuar nga një parlament me vota të vjedhura. Siç e tregojnë raportet shteti u shkri njësh me partinë. Forca më e dëmtuar ishte ish LSI e cila në vend që të kishte 12 mandate me ato vota ka vetëm 4 mandate.
Kjo forcë politike qëndron në sheshe. Jo vetëm brenda parlamentit me katër deputetët por përballë tij me zërin e qytetarëve. Vendi ka nevojë që çdo minutë të gjithë të protestojnë aty ku janë. Jo vetëm aty ku u ndodh atyre por kur i ndodh çdo njeriu në komunitetin tonë.
PL ka një axhendë të saj për të nisur një protestë anti-korrupsion. Protesta e parë do të njoftohet në këto 24 orë. Do të ketë protesta aty ku ndodh krimi dhe ku vidhet qytetari me taksat e tij. Kemi një axhendë të qartë përveç mbështetjes që i japim qytetarëve”, tha Meta.