PD përmes anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD, Dorian Teliti ka denoncuar paketën antikrizë të qeverisë duke theksuar se ajo “është tallje për shqiptarët”.
Teliti theksoi se me kete pakete, rritja eshte vetem 300 lek të vjetra ndihmë pensionistëve, 200 lekë të vjetra shtesë ndihmë ekonomike nderkohe qe asnjë lek per biznesin.
Deklaratë e anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD, Dorian Teliti
Partia Demokratike e ka kërkuar nga kjo foltore një paketë antikrizë reale dhe gjithëpërfshirëse, si dhe ka prezantuar rrugët si mund të bëhet kjo. Reagimi i qeverisë, jo vetëm është i mangët, por mund të cilësohet qesharak.
Paketa e prezantuar dje, fatkeqësisht rezulton të jetë edhe më e ulët se sa paketa e parë e muajve prill – maj – qershor.
- Së pari, duhet thënë se çdo indeksim është detyrim ligjor dhe jo bamirësi e qeverisë. Indeksim do të thotë rivendosje në të njëjtën gjendje pasurore, që një individ kishte përpara se inflacioni t’i gërryente të ardhurat. Nga ana tjetër, qeveria, duke mbledhur më shumë të ardhura nga çmimet e rritura të mallrave e shërbimeve, ka detyrim që, një pjesë të të ardhurave shtesë t’ua rikthejë bizneseve, të punësuarve, pensionistëve, shtresave në nevoje, etj.
Lëmosha e qeverisë për pensionistët rezulton të jetë vetëm 330 lekë të vjetra në ditë.
Bëjini vetë llogaritë se ç’mund të blejë një pensionist me 330 lekë të vjetra ndihmë që jep qeveria.
- Së dyti rritja me 10% e ndihmës ekonomike është një tallje. Çdo familje në ndihmë ekonomike praktikisht do të përfitojë 200 lekë të vjetra në ditë shtesë nga bujaria e kësaj pakete të dytë.
- Së treti, Qeveria premton rritje rrogë për sektorët “prioritarë” të Policisë dhe Policisë se Burgjeve, në një masë fikse. Kur vendimi të zbardhet të mos surprizohemi kur kjo shumë fikse të jepet në zëvendësim të indeksimit, dhe madje të jetë edhe më e ulet se masa e indeksimit.
- Së katërti, Qeveria mburret se do të vazhdojë mbështetjen për naftën e fermerëve, të peshkatarëve etj., por ajo nuk thotë dot sesa fermerë e peshkatarë kanë përfituar deri tani, sa është sasia e naftës që ka shkuar për këta sektorë, sa është vlera e subvencionuar nga buxheti etj.
- Së pesti, rritja e pagës minimale është bërë pa asnjë konsultë me sektorët e punësimit masiv si fasoneritë, manifaktura, industritë prodhuese etj. Siç duket qartë, qeveria do të jetë i vetmi përfitues real i kësaj mase, pasi do mbledhë më shumë kontribute nga sigurimet shoqërore e shëndetësore, ndërkohë që paketë ndihme për bizneset nuk ka, asnjë qindarkë.
Partia Demokratike e cilëson këtë paketë të dytë ndihme si një masë gjysmake, që nuk lehtëson krizën e familjeve, pensionistëve apo të atyre në ndihmë ekonomike.
Kjo paketë është vetëm një rast për Edi Ramën për të luajtur rolin e bamirësit, për të kaluar radhën, dhe për të hapur valvula shkarkimi te një krize ekonomike dhe sociale të shtrirë anembanë vendit.