Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar qëndrimet e rrymave brenda në Partinë Demokratike, disa prej të cilëve kanë konfirmuar pjesëmarrjen në protestën e 13 shtatorit.
Sipas Metës kjo do të jetë një protestë e qytetarëve dhe nuk ka rëndësia partia që e ka thirrur atë. Sipas kreut të PL-së në Shqipëri duhet të protestohet çdo minutë, pasi sipas tij vendi po vidhet nga qeveria e Edi Ramës.
Për Metën është Edi Rama garanti i aferës më skandaloze të vjedhjes së inceneratorëve, ndërsa personat e shpallur në kërkim sipas tij janë emra formal.
“Atje ku padrejtësia kthehet në ligj, rezistenca është detyrë për të gjithë. Në Shqipëri tashmë korrupsioni dhe mafia kanë instaluar sistemin e tyre, afera e inceneratorëve është afera më skandaloze e kapjes së shtetit prej fyti.
Shkatërrimi i interesit publik, vjedhja e taksapaguesve të Tiranës dhe Shqipërisë dhe personat që janë në kërkim ndërkombëtar janë formalisht në këtë afere, pasi është vetëm një person që e ka garantuar këtë aferë, dhe ai është Edi Rama. Janë bërë brenda një dite 14 vendime brenda një dite.
Ne ndërmorëm këtë iniciativë, kjo do të jetë protestë e qytetareve. Dikush ndërmerr një iniciative për protestat, e merr një grup interesi, një forcë politike apo opozita, Por më e rëndësishme është që qytetarët të protestojnë çdo ditë sepse këtu vidhet pa pushim”, ka thënë Meta.