Lojëra me shpatë, magji dhe seks, me vlerë gjysmë miliard dollarë, do të vijnë në një ekran të vogël pranë jush. Më 21 gusht, Warner Bros Discovery lançoi “House of the Dragon”, një version spin-off i hitit “Game of Thrones”, i cili vlerësohet se ka kushtuar mbi 150 milionë dollarë.
Duke u ndodhur nën trysni, më 1 shtator, Amazon Prime Video do të publikojë “The Rings of Power”, një dramë jo aq e çmendur, por më e kushtueshme, e mbështetur në librat “Lord of the Rings”.
Me një çmim prej rreth 465 milionë dollarësh, oferta e Amazon do të jetë drama më e shtrenjtë e televizionit e prodhuar ndonjëherë.
Kjo do të shkaktojë një betejë madhështore midis rivalëve. Por është gjithashtu pjesë e një lufte më të gjatë që vë përballë njëra-tjetrës studiot e vjetra të Hollivudit me transmetimet e reja.
Warner Bros do të festojë 100-vjetorin vitin e ardhshëm. Amazon, e cila i nxjerr fitimet nga tregtia elektronike dhe cloud computing, prezantoi biznesin e videove vetëm pesë vite më parë. Ndërsa luftërat e transmetimit po bëhen më të ashpra, çdo palë mendon se gëzon përparësinë.
Kohët e fundit, dragonjtë e Hollivudit të vjetër kanë fituar terren. Investitorët u dyndën drejt platformave të transmetimit gjatë karantinave, por tashmë kanë humbur interesin pasi abonentët e rinj kanë rënë në numër. Netflix, i cili dikur pritej të arrinte një rrjet prej 800 milionë abonentësh, duket se ka ngecur në 220 milionë dhe ka përjetuar një rënie të çmimit të aksioneve me 60% këtë vit.
Më 10 gusht, Hollywood-i i vjetër arriti një fitore simbolike kur Disney njoftoi se ia kishte kaluar Netflix-it, me 221 milionë abonime. Kjo shifër i numëron dyfish abonentët e shërbimeve të ndryshme të Disney-t dhe shpërfill faktin se shumë prej tyre jetojnë në vende me të ardhura të ulëta, si India. Por ka venitur çdo dyshim se studiot e vjetra nuk mund të konkurrojnë në garën e transmetimit.
Duart e vjetra të Hollivudit po ripërqendrohen gjithashtu në biznesin e fitimit të parave, pasi kaluan dy vjet duke kërkuar abonentë. Disney thotë se shërbimi i tij kryesor i transmetimit, Disney+, do të ketë humbjet më të mëdha këtë vit, përpara se të arrijë fitime në vitin 2024.
Një rritje e madhe e çmimeve, duke filluar nga dhjetori, do të ndihmojë në këtë drejtim. Në një regjistrim të fundit të të ardhurave, David Zaslav, shefi i ri i Warner, kritikoi haptazi qasjen e vjetër “shpenzoni, shpenzoni, shpenzoni dhe pastaj ngarkoni tarifa shumë të ulëta”.
Warner do të synojë që biznesi i tij i transmetimit të gjenerojë një fitim operativ bruto prej 1 miliard dollarësh deri në vitin 2025, tha ai. “Nëse e bëjmë këtë, nuk më intereson sa është numri i abonentëve. Duam të sigurohemi që do të paguhemi”.
Formatet e vjetra mediatike do të luajnë një rol kyç. Kinematë, biznesi i të cilave ra me 80% në mbarë botën në vitin 2020, janë hapur sërish. Sidoqoftë, shitja e biletave nuk është më e njëjta: Cineworld, zinxhiri i dytë më i madh i teatrove në botë, më 22 gusht tha se po falimentonte.
Por Paramount, një dragua 110-vjeçar i Hollivudit, e ndaloi publikimin e “Top Gun: Maverick” gjatë pandemisë dhe u shpërblye në maj me një shitje prej 1 miliard dollarësh. Warner, në vitin 2021 publikoi të gjitha filmat e tij në platformën e vet të transmetimit, në të njëjtën kohë me transmetimin e tyre në kinema.
Parqet tematike janë mbushur plot përsëri, dhe ato amerikane të Disney-t po gjenerojnë të ardhura rekord. Edhe televizioni kabllor, prej kohësh në rënie, duket si një mundësi e mirë, ndërsa biznesi i transmetimit po bëhet gjithnjë e më i ashpër.
“Ne kemi katër, pesë ose gjashtë fusha biznesi”, u tha zoti Zaslav investitorëve. “Dhe në një botë ku gjërat po ndryshojnë, dhe ka shumë pasiguri dhe shumë përçarje, kjo është më e qëndrueshme dhe shumë më e mirë sesa të kesh vetëm një”.
Argumentet
Ky mund të jetë një argument bindës kundër një kompanie startup si Netflix, e cila varet vetëm nga transmetimi. Problemi për Hollywood-in e vjetër është se disa nga konkurrentët e tij të rinj, kanë rrjete më të mëdha dhe më të larmishme.
Rruga e Warner drejt fitimit përfshin shkurtime drastike – ajo tashmë ka hequr shërbimin e transmetimit të lajmeve CNN+ dhe prodhimet e papërfunduara, duke përfshirë “Batgirl”. Amazon nuk tregon asnjë shenjë se po shtrëngon rripin.
Përveç “Rings of Power”, kohët e fundit, ajo bleu për 8.5 miliardë dollarë Metro Goldwyn Mayer, studion kinematografike që ka krijuar “James Bond”, dhe fitoi të drejtat e Ligës Kombëtare të Futbollit Amerikan për 1 miliard dollarë në vit.
Banka Morgan Stanley, vlerëson se do të shpenzojë 16 miliardë dollarë për përmbajtjen mediatike këtë vit. Netflix shpenzoi 14 miliardë dollarë. Vitin e ardhshëm, shpenzimet e Amazon mund të arrijnë në 20 miliardë dollarë.
Ndryshe nga dragonjtë e vjetër të Hollivudit, disa transmetues të rinj nuk kanë nevojë as të paguhen, sipas zotit Zaslav. Amazon Prime Video ekziston për t’i mbajtur njerëzit të regjistruar në Prime, përfitimi kryesor i të cilit është shpërndarja falas e blerjeve nga Amazon.
Shërbimi TV+ i Apple që po zgjerohet vazhdimisht, është i orientuar drejt mbajtjes së klientëve në ekosistemin e saj të telefonave dhe kompjuterëve, ku kompania nxjerr fitimet e vërteta. Shërbimet video nga Amazon dhe Apple ofrojnë gjithashtu pasuri të paluajtshme për reklamim, një biznes ku të dyja kompanitë kanë ambicie për t’u rritur.
Hollivudi i vjetër po lufton, duke u ofruar shikuesve “paketa” më të mëdha me kosto më të ulët. Warner planifikon të kombinojë shërbimin e saj kryesor të transmetimit, HBO Max, me Discovery+, verën e ardhshme. Disney po eksperimenton me paketa shërbimesh me ulje, si ESPN+ dhe Hulu; disa pyesin veten nëse hyrja në parqet e saj një ditë mund të jetë pjesë e një mega-pakete Disney.
Megjithatë, rivalët e rinj të Hollivudit ofrojnë pako të një tjetër lloji. Kasaforta e videove të Apple është shumë më e vogël se ajo e Disney ose Warner, por paketa e saj “Apple One” përfshin jo vetëm televizionin, por edhe muzikën, lojërat, lajmet dhe fitnesin.
Amazon Prime shoqërohet me një sërë përfitimesh të ngjashme interesante. Ndërsa familjet kërkojnë të kursejnë, oferta të tilla mund të tingëllojnë joshëse.
Kjo mund të jetë arsyeja pse disa dragonj të vjetër të Hollivudit po bëjnë biznes me të rinjtë. Më 15 gusht, Paramount njoftoi një marrëveshje me Walmart, një shitës gjigant me pakicë, sipas së cilës, anëtarët e Walmart+ (versioni Walmart i ngjashëm me Amazon Prime), do të kenë akses falas në shërbimin e transmetimit Paramount+. Walmart gjithashtu e sheh median si një mënyrë për t’i mbajtur klientët besnikë në biznesin e tij kryesor. Së fundmi, ka shtuar edhe muzikë në paketën e tij, nëpërmjet një marrëveshjeje me Spotify.
Ndërsa konkurrenca për shikuesit po rritet, beteja midis Hollivudit të vjetër dhe atij të ri, duket se është bërë po aq e përgjakshme sa edhe një episod i “Game of Thrones”. Për konsumatorët, të cilët kanë më shumë zgjedhje dhe më shumë oferta se kurrë, kjo është shumë argëtuese./Monitor