Statisticeni i njohur Eduard Zaloshnja ka denoncuar dje korrupsionin në doganat shqiptare që lidhet me mungesën e zhdoganimit të naftës apo edhe dyshimeve për futjen e saj kontrabandë ne vend.
Në një analizë të tij, Zaloshnja, duke iu referuar shifrave të konsumit të karburantit në vend, rendit disa arsye që sipas tij janë dyshuese, ndërsa ngre pyetjen nëse është dyfishuar efikasiteti i karburantit apo evazioni me të.
“Nga të dhënat zyrtare që siguroi deputeti Sula nga Drejtoria e Transportit Rrugor dhe Drejtoria e Doganave, rezulton se mesatarisht një automjet aktiv më 2011 ka konsumuar rreth 1400 litra karburant në vit (570.4 milionë litra të zhdoganuara janë konsumuar nga 410.6 mijë automjete aktive).
Ndërsa më 2021 sasia e karburantit të konsumuar mesatarisht nga një automjet aktiv u përgjysmua- zbriti në rreth 700 litra karburant në vit (536.3 milionë litra të zhdoganuara janë konsumuar nga 740.7 mijë automjete aktive)”, thotë Zaloshnja.
Sipas tij, “në qoftë se të dhënat zyrtare janë të sakta dhe nuk ka pasur evazion fiskal në dogana, i bie që ose është dyfishuar efikasiteti i përdorimit të karburantit, ose janë përgjysmuar kilometrat e përshkuara mesatarisht nga çdo automjet”.
Zaloshnja argumenton se: “Në fakt, të dyja këto hipoteza nuk qëndrojnë. Së pari, është e vërtetë që përmirësimet në cilësinë e karburantit dhe në cilësinë e automjeteve sjellin rritje të efikasitetit në konsumin e karburantit. Por edhe vendet më të përparuara nuk kanë arritur të kenë rritje të efikasitetit më shumë se 10 për qind përgjatë një dekade.
Ndërsa ne e paskemi dyfishuar efikasitetin e përdorimit të karburantit brenda një dekade! Së dyti, kilometrat e përshkuara mesatarisht nga një automjet aktiv nuk kanë si të jenë përgjysmuar në vitin 2021, krahasuar me vitin 2011.
Gjatë kësaj dekade janë shtuar dhe përmirësuar ndjeshëm rrugët në mbarë Shqipërinë, e si rrjedhim janë shtuar ndjeshëm udhëtimet turistike brenda vendit si në verë, edhe në dimër (numri i dhomave të hoteleve pothuaj është dyfishuar në gjithë vendin).
Vjet nuk ishte as vit karantine pandemie (si parvjet) e as vit inflacioni çmimesh karburanti (si sivjet). Dhe krahasuar me 2011- ën, vjet automjetet mund të kenë përshkuar mesatarisht më shumë kilometra, e jo t’i kenë përgjysmuar ato”.
Statisticeni shprehet se: “Analiza e mësipërme na çon te shtegu më i mundshëm: evazione fiskal në dogana. Për të furnizuar 740 mijë automjetet aktive të vjetshme nevojitej shumë më tepër karburant sesa ç’u zhdoganua zyrtarisht vjet.
Se sa më tepër nuk mund të matet me saktësi, sepse duhen të dhëna të hollësishme mbi markat dhe vjetërsinë e automjeteve, si dhe mbi kilometrat e përshkuara nga to”.