Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë mesditën e sotme, një apartament në kryeqytet.
Apartamenti që shihni në fotot që sjell noa.al nga vendi i ngjarjes, ndodhet në rrugën e Elbasanit, pallati pranë Institutit të Higjienës.
Mësohet se ai i përket biznesmenit Gaz Demi, i njohur si presidenti i klubit të futbollit “Partizani”, pronar i hotel “Butrintit” dhe spitalit “Universal”.
Zjarri ka rënë në katin e fundit të një pallati 10 katësh dhe është paraqitur mjaft agresiv.
Përmasat e zjarrit kanë qenë të mëdha ndërsa shërbimi zjarrfikës vonoi për të mbërritur, duke çuar në përparimin e tyre. Për shkak të përmasave të mëdha, zjarri zbriti nëpër ballkone, duke çuar në djegien e tendave dhe në rënie copash alukobondi.
Nga të dhënat paraprake, nuk flitet për persona të lënduar apo asfiksuar, ndërkohë që është bërë evakuimi i banorëve të pallatit dhe makinave përreth. Papafingua ku ka rënë zjarri ishte ndërtim shtesë i legalizuar në pallatin e ndërtuar prej vetë Gaz Demit, në konstruksion metalik dhe mendohet se një pjesë përdorej si palestër.
Gazetari në vendngjarje thotë se zjarri shpërtheu gjatë kohës që në banesë po kryheshin punime.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia, ndërkohë që po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes ndërkohë që pesë zjarrfikëse kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve