Ekuadori kthen vizat për Shqipërinë. Kiko proteston ashpër

0
42
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Lutfi Dervishi

Notë proteste

Jemi të habitur nga vendimi i datës 24 gusht për rikthimin e vizave për Shqipërinë me pretekstin se në vendin tuaj po vijnë shumë shqiptarë që po përfshihen në trafikun ilegal të drogës. Rikthimi i vizave për Shqipërinë është akti më armiqësor që merrni ndaj një vendi që nga 24 Maj i vitit 1822, dita kur ju keni shpallur Pavarësinë nga Spanja.

Jemi gjithashtu të çuditur që media në vendin tuaj flet për “pushtimin e dytë të Ekuadorit” nga shqiptarët. Këtë e konsiderojmë racizëm të pastër dhe sulm ndaj vlerave universale, si lëvizja e lirë e njerëzve, të sanksionuara në kartën e Kombeve të Bashkuara

Ajo që quhet diplomacia me katër gërma (TAKT) është dhunuar nga vendimi juaj absurd dhe pasojat nuk i vuajnë të ashtuquajturit “trafikantët” që kanë edhe pasaportat tuaja, por shqiptarët e thjeshtë që as nuk do të vijnë ndonjëherë në Ekuador dhe as e kanë idenë se ku është Ekuadori.

Lajmi për kthimin e vizave tronditi shitjen e apartamenteve në Tiranë. Këtë vit çmimet e apartamenteve u rritën 40%, ndërsa me njoftimin se keni kthyer vizat, ka një stopim. Keni trembur blerësit.

Ndërtimi po mban gjallë ekonominë e vendit. Riikthimi i vizave ka tronditur edhe oligarkët dhe ata po mendojnë që në kullat e tyre të mos ndërtojnë më kate pa leje. Ky vendim i oligarkëve mund të ketë pasoja të paparashikueshme politike, ekonomike, institucionale dhe shoqërore. Në rast se oligarkët ndalin ndërtimet pa leje, atëherë mbesin pa pune IKMT-ja, inspektoriatet, policia, dhe vetë qeveria që nuk mund të bëj asnjë VKM për të adresuar problemin në shinat e ligjit.

Kthimi i vizave për shqiptarët do të rrisë edhe çmimin e bananeve. Në kushtet e një krize globale të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, vendimi juaj është kundër parimeve të shenjta të lëvzizjes së lirë të njerëzve, mallrave, ideve dhe kapitaleve.

Ju pretendoni se shqiptarët cënojnë sigurinë tuaj.  Më lejoni t’iu kujtoj se Ekuadori ka 5.8 vrasje për 100 mijë banorë, ndërsa Shqipëria vetëm 2.26. Mos e kërkoni të keqen te shqiptarët. Duke nga penguar ne- ka të ngjarë të rrëzoheni ju.

Nëse do të na kishit kërkuar ndihmë, ne mund t’u ofronim zgjidhje. Praktika jonë tregon se ata që ju sot i quani trafikantë droge, nesër mund të jenë, drejtorë ujësjellësash, kryetarë bashkie, deputet apo dhe investitorë strategjikë.

Merrni shembull nga Shqipëria se si vihen në qarkullim kapitalet e fjetura. Pavarësisht vendimit tuaj që shpresojmë ta rishikoni, ne jemi të gatshëm t’u ofrojmë ekspertizën tonë në fushën e kultivimit të kanabisit, legalizimit të tij dhe padyshim edhe të Amnistisë Fiskale. Hiqni dorë nga lufta (kundër drogës) se lufta vetëm viktima sjell. Mos harroni se lufta, sado e nevojshme dhe sado e justifikuar të jetë, në fund të fundit është krim. Ju bëjmë thirrje të mos thelloheni në krim.

Me shpresë të një rishikimi të shpejtë të vendimit tuaj

I juaji

Kiko, Sarandë 18 shtator 2022

Zjarr Tv Ad