Deputeti i PS kritikon projektligjin “Për informacionin e klasifikuar”, Xhafaj: Ndryshimet merren me burokraci jo me thelbin

0
42
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka shprehur rezerva ndaj projektligjit “Për Informacionin e Klasifikuar” të prezantuar dje në Komisionin e Ligjeve nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, dhe drejtori i DSIK, Dorjan Tola.

Në fjalën e tij, Xhafaj u shpreh se ligji më tepër merret me çështjet burokratike dhe nuk synon rregullimin në thelb të ligjit, ndërsa kërkoi që të merret ekspertizë nga të huajt kryesisht NATO, pasi siç shtoi ai që në Shqipëri është marrë ekspertizë e huaj edhe për prodhimin e domateve.

“Mos është e nevojshme që të kemi një konsulencë më të thelluar për hartimin e këtij ligji? Këtu kemi marrë ekspertizë si trajtohet domatja. Mos duhet të marrim edhe për këtë një ekspertizë të huaj, nga NATO apo…? Duket sikur është një gjë rregullatorë në aspektin adminsitrative sesa në thelbin e problemit.

Ju jepni konceptin e certifikatës së sigurisë së personelit. Ajo që më shqetëson është: a e zgjidh ky ligj cilësinë e procesit të verifikimit.

Standardet e verifikimit dhe të drejtën e ankimit kur ky proces s’ka qenë i rregullt. Mua më ka bërë përshtypje disa vlerësime të ndryshueshme në disa raste për disa punonjës policie dhe pamundësinë e tyre për ta ankimuar atë.

Por sot, i shoh në funksione të rëndësishme”, tha Xhafaj. Megjithatë, në fund të Komisionit, projektligji u miratua në parim dhe në ditët në vijim pritet që të diskutohet në detaje.

DEKLASIFIKIMI I DOSJEVE

Sakaq dje, Partia Socialiste dhe grupi i PD-së i drejtuar nga Alibeaj ranë dakord për shqyrtimin e ligjit për deklasifikimin e dosjeve që lidhen me ish-Sigurimin e Shtetit. Sipas Alibeajt, kanë kaluar 32 vjet nga rënia e sistemit, ndaj tani është e nevojshme që shqiptarët të njohin historinë dhe që politikanët të mos e përdorin si shantazh ndaj njëri-tjetrit.

“Në korrik, një pjesë e kolegëve të PD-së kanë depozituar një amendament me anë të cilit synojmë që të adresojmë një çështje që ka interes publik. Hapja e dosjeve të sigurimit. Deklasifikimi i dosjeve. Te drejtori pashë skepticizëm. Ne kemi paraqitur një amendament ku përmbajtja është e thjeshtë, pas 32 viteve të rënies së komunizmit, shoqëria ka nevojë të njoh të shkuarën e vetë. Për të parë pasojat, viktimat e sistemit diktatorial, por edhe për të hequr modelin e shantazhit që përdoret duke përdorur dosjet e sigurimit. Nuk shoh nga qeveria të trajtojë problemin e deklasifikimit të dosjeve”, tha Alibeaj, i cili mori aprovimin në parim nga ministrja Spiropali.

“Referuar propozimit tuaj mbi ligjin e deklasifikimit të dokumenteve që kanë lidhje me Sigurimin e Shtetit mesa kuptoj nga opinioni i autoritetit, nuk ka asgjë të keqe dhe do ishte gjëja e duhur që duhet të bëjmë, por duke ruajtur diskrecionin e autoritetit”, tha ministrja.

Mirëpo për drejtorin e DSIK, projektligji i depozituar nga Alibeaj nuk ka asnjë risi.

“Deklasifikimi në bllok. S’jemi njohur me këtë nismë ligjore, por profesionalisht mund t’ju them se deklasifikimi në bllok është delikat. Deklasifikim është ekspozim i autorizuar. Pra, duhet të jetë një verifikim, një vlerësim dhe kështu duhet sërish një komision tjetër. Ne kemi zgjedhur deklasifikim të kontrollueshëm. Zgjidhje teknike ka. Por, ashtu si është propozuar nuk shoh ndonjë ndryshim cilësor nga ajo që bëjmë ne”, tha ai.

Zjarr Tv Ad