Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”, për ish- drejtorin e burgut të qytetit bregdetar Astrit Kotaj, i arrestuar pas lirimit të Lulzim Berishës.
Ai akuzohet nga Prokuroria për shpërdorim detyre lidhur me lirimin me kusht të ish-kreut të bandës së Durrësit.
Në seancën e sotme ai tha se nuk ka lidhje me dinamiken e përllogaritjes së ditëve të dënimit të Lul Berishës.
Në vijim është shprehur se nuk është jurist dhe nuk e njoh procedurën.
“Përllogaritja e ditëve të dënimit është puna e juristit dhe jo e drejtorit të burgut. Nuk i di detajet e kësaj dinamike, pasi nuk e njoh as juridikisht. Jam shmangur sa mundesha nga kjo procedurë pasi nuk e njoh nga ana teknike. Personalisht nuk kam bërë shkelje ligjore si drejtor, kjo është puna e zyrës juridike”, deklaroi ai.
Ndërkohë është shpallur në kërkim edhe juristi i burgut Durrës T.L., i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumentave”, në vijim të hetimit të nisur kryesisht për lirimin me kusht të të dënuarit Lulzim Berisha.
Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Durrësit, rezulton se drejtori burgut dhe juristi i këtij institucioni, akuzohen se kanë llogaritur në mënyrë të kundërligjshme kohën e qëndrimit të burgim të të dënuarit.
Në bazë të shqyrtimit të dosjeve përkatëse të burgut Durrës, Prokuroria ka arritur në konkluzionin se të dënuarit Lulzim Berisha duhej të kryente edhe të paktën 2 vjet e 7 muaj burgim, para se të mund të përfitonte nga parashikimet ligjore për lirimin me kusht.