Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, ditën e sotme në Kryesinë e Kuvendit zhvilloi një takim me kryetaren e grupit Parlamentar të PDIU-s, Melisa Dodën dhe më pas me kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediun.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mediu ka bërë me dije se në fokus të këtij takimi ka qenë shqetësimi i ambasadës amerikane në lidhje me financimin rus të partive politike në Shqipëri.
Gjithashtu, Mediu shton se u diskutua dhe mbi rolin e rëndësishëm të opozitës për pasjen e një demokracie funksionale, si dhe nevoja e bashkëpunimit me NATO-n në përballimin e sulmeve kibernetike.
POSTIMI I PLOTË:
Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu zhvilloj nje takim pune në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë me Ambasadoren Amerikane në Tiranë Yuri Kim dhe sekretarin Michael Ball.
Ambasadorja Amerikane prezantoi shqetësimin për ndikimet Ruse në financimin e partive politike.
Në takim u ra dakord për rëndësinë e financimit transparent të partive politike dhe shmangien e ndikimit të aktorëve të huaj në zgjedhjet dhe politikën shqiptare.
Po ashtu bashkëbiseduesit ranë dakord për nevojën e një demokracie funksionale si dhe rolin e rëndësishëm të opozitës.
Mediu e informoi Ambasadoren Kim dhe z Ball, për vizitën e deputetëve shqiptar të grupit IPAC në SHBA me ftesë të senatorëve amerikanë Menendez dhe Rubio.
Sulmi kibernetik nga Irani ka nevojë për përgjegjësinë dhe angazhimin e fortë të institucioneve shqiptare si dhe domosdoshmërinë për të bashkëpunuar dhe kordinuar me NATO dhe SHBA.