Kryeministri Edi Rama, do të zhvillojë një takim rreth orës 10:00 të mëngjesit të sotëm, me ambasadorët e akredituar në vendin tonë.
Burime për Euronews Albania, bëjnë me dije se takimi informal do të zhvillohet tek “Vila 30”, ku të pranishëm do të jenë edhe ambasadorët e SHBA dhe Britanisë së Madhe.
Në këtë takim, që është kërkuar nga vetë Rama, pritet të diskutohet për amnistinë fiskale që është kritikuar nga Bashkimi Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas përfundimit të takimit, nuk pritet të ketë një deklaratë për mediat.
Ditën e djeshme, Rama është shprehur i vendosur për të vijuar me nismën e qeverisë për amnistinë fiskale dhe penale për paratë e shqiptarëve.
Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, numri një i qeverisë, theksoi se amninistia do të bëhet sepse e kërkon shumica e shqiptarëve.