Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimi, Jorida Tabaku deklaroi se shqiptarët kanë zgjedhur BE. Gjatë fjalës së saj Tabaku theksoi se Qeveria duhet të zgjedhë njësoj.
“Procesi i integrimit, hapja e negociatave, është qartësisht një rrugëtim me risqe të reja në epokën e një lufte në Ukrainë që kërkoi të ndajë perëndimin për të risjellur edhe një herë hijet e një rendi të shkuar që prodhoi dy luftëra botërore të përgjakshme.”, tha Tabaku.
FJALA E TABAKUT NE KËSHILLIN KOMBËTAR TË INTEGRIMIT
Të nderuar deputetë
Fort i nderuar Z. Krischbaum
Koha dhe momenti që ju keni zgjedhur të vizitoni parlamentin shqiptar dhe vendin tonë është tejet interesante. Shqipëria sapo ka nisur hapat e parë të procesit të çeljes së negociatave ndërkohë që vendi përballet me një krizë e të thellë politike të një natyre që duhet të caktojë realisht rrugëtimin që duhet të marrë Shqipëria. Në një pikë ne të gjithë këtu jemi dakord; Shqipëria duhet të ndërmarrë një udhëtim drejt BE-së.
Në një pikë shqiptarët dhe besoj të gjithë ne si deputetë mendojmë njësoj; edhe sot pas mbi 3 dekadave fund të diktaturës më të egër në Europë, ne jemi ende me fytyrën, mendjen dhe mendësinë drejtuar nga BE dhe qasjes Euro-Atlantike.
Mes Shqipërisë dhe Gjermanisë ka disa ngjashmëri që janë realisht mbresëlënëse duke parë se sa shumë gjëra sot i kemi ndryshe. Në harkun kohor të dy luftërave botërore Gjermania dhe Shqipëria kanë kaluar proceset e republikave të dobëta, totalitarizmave që kanë shënjuar më shumë se një gjeneratë.
Nëse Gjermania post-luftës së dytë botërore diti të mësojë se sa e rëndësishme dhe jetike është demokracia dhe ngriti institucionet e një shteti funksional demokratik duke forcuar institucionet për të parandualuar diktaturën, Shqipëria post-komuniste do ende kohë që të shkëputet nga autokracia që përpiqet t’i përngjajë diktaturës komuniste duke shtypur institucionet dhe pavarësinë e tyre.
Për shqiptarët, për ato mijëra shqiptarë që janë larguar ndër vite prej vendit tonë, problemi demokracisë dhe Europës në Shqipëri është më shumë se sa teknikalitetet që ky Këshill Kombëtar duhet të trajtojë me seriozitet të padiskutueshëm.
Nëse sot Shqipëria është ende në zgripin e një demokracie që kritikohet për marrëdhënien e saj me median, lirinë e shtypit, të drejtat e qytetarëve për të pasur dinjitetin dhe për t’u ruajtur nga spiunët digjital apo partiak, nëse ne sot vuajmë mungesën e një tregu konkurues, të një klime biznesi që ofron konkurrencë dhe të një meritokracie që ofron mobilitetin social, kjo vjen sepse institucionet që duhet të garantonin pavarësinë dhe demokracinë, pra në pak fjalë të ruanin dhe promovonin interesat e qytetarëve, sot nuk janë plotësisht funksionale. E shumë nga ato institucione janë sot këtu!
Reforma në Drejtësi, ka një prej qëllimeve të saj pikërisht krijimin e institucioneve. Pasi pikërisht institucioni i drejtësisë do të garantojë jo vetëm Sundimin e Ligjit por një shoqëri që ofron drejtësi dhe fund të mosndëshkueshmërisë.
Parlamentarizmi, një temë tejet e rëndësishme e raporteve të Bashkimit Europian dhe jo vetëm, do të thotë që ky institucion që ka rëndësi jetike për demokracinë të mos rikthehet në një noter të ligjeve me porosi që nuk mbrojnë interesin e qytetarëve por të një grupi të vogël.
Shqiptarët sot shpresojnë që të ndërtojmë një demokraci funksionale dhe reale për familjet dhe sipërmarrjet. Të njëjtën gjë kërkon dhe Gjermania e cila kushtet dhe parakushtet nuk i ka vendosur për të ndërtuar mure të pakalueshme për Shqipërinë, por për të ndërtuar ato shkallë që Shqipëria t’i ngjisë për të ndërtuar demokracinë, për të fituar Europën. Pasi procesi transformues i BE është ai që realisht do e ndryshojë rrënjësisht Shqipërinë.
Ironikisht, një mazhorancë që nuk ka për synim meritokracinë nuk mund ta kuptojë këtë hap.
Gjithsesi, nuk duhet mohuar se dëshira dhe qëllimi i përbashkët i integrimit Europian na ka shtyrë të gjitha forcat politike që të krijojmë një komision të posaçëm të përbashkët për të amenduar ligjin për rolin e parlamentit për çështjen e integrimit Europian.
Janë këto hapa që do forcojnë më tej rolin e kuvendit për të drejtuar këtë proces që është i shqiptarëve dhe jo vetëm i qeverisë. Ne, të gjithë në këtë pikë, duhet të mësohemi se Integrimi Europian është një proces që na tejkalon të gjithëve dhe është një projekt që do ndikojë në jetët tona dhe të fëmijëve tanë.
Për këtë arsye, por mbi të gjitha sepse procesi integrimit ka qenë dhe mbetet kryefjalë e Partisë Demokratike që në gjenezë të saj, do të jemi këtu për të luftuar që ky proces sa teknik edhe politik të shtrohet në shinat e duhura.
Opozita do të vijojë të luajë një rol kontribuues dhe bashkëpunues për të çuar përpara reformat që kërkohen referuar procesit të integrimit evropian por nga ana tjetër do jetë po aq kërkuese sa i përket transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë dhe institucioneve e tjera. Ne nuk jemi në Kuvend thjeshtë për të monitoruar qeverinë apo për të miratuar ligje. Ne këtu jemi edhe për të kërkuar llogari mbi punën e bërë, procedurat dhe hapat e kryera apo mbi atë që duhesh apo nuk duhesh bërë. Ky është një proces jetësor dhe thelbësor për të gjithë ne dhe secili duhet të mbajë dhe luaj rolin e tij.
Për këtë arsye nuk kam për tu lodhur për të thënë se sot më shumë se kurrë duhet çdo ligj, çdo iniciativë të bëhet në frymën e normat e BE dhe iniciativa të tilla si Amnistia Fiskale, Legalizimi i Kanabisit për qëllime mjekësore, Pashaportat e Arta janë iniciativa që as duhet të diskutohen tani kur Shqipëria nuk ka kontroll mbi territorin, kur është në listën gri të pastrimit të parave e kur çdo institucion vendas edhe i huaj ngre shqetësimin për paratë e krimit dhe të drogës që sot kërcënojnë ekonominë formale.
Procesi i negociatave për antarësimin në Bashkimin Evropian është një proces transfomues për tërë vendin që nuk i përket vetëm kësaj qeverie apo opozitës por na përket të gjithëve ne, popullit shqiptar. Nevoja për të qenë transparent dhe bashkëpunues në këtë proces është më urgjent dhe më i domosdoshëm se kurrë më parë.
Qytetarët shqiptarë duhet ta kuptojnë se çfarë përfitimesh apo kostosh do të kenë gjatë këtij procesi pasi asnjë nuk mund të justifikohet me shprehjen që po e bëjmë këtë apo atë reformë se kërkon Brukseli. Unë nuk kam për ta toleruar, dhe se besoj që e tolerojnë qytetarët.
Së fundi, më lejoni t’i rikthehem marrëdhënies së Shqipërisë me Gjermaninë që ka qenë një ndihmë reale dhe e madhe për procesin tonë të integrimit në çdo fazë të tij. Për shumëkënd që këtë proces e ka parë jo aq si një mision historik por si një qokë që duhet marrë, Gjermania jo rrallë është parë si një pengesë.
Jo rrallë kemi dëgjuar zyrtarë të lartë apo të mesëm që kanë mësyrë në sulme qesharake dhe deri patetike ndaj politikanëve me integritet duke menduar që kështu do të mund të zhbënin faktet. Nëse sot drejtësia shqiptare nuk ka folur ende për dosjet e vjedhjes së votës 184 dhe 339, nuk është problemi dhe faji i partnerëve strategjikë, por mungesës së gatishmërisë dhe dëshirës për t’i shkuar hetimeve deri në fund.
Gjermania ka qenë dhe do jetë përherë një shtysë për të ndërtuar një Shqipëri Europiane, akoma më tej një Ballkan Perëndimor që bashkëndan vlerat euroatlantike.
Prandaj e shoh shumë të rëndësishme dhe tejet dobiprurëse ringjalljen e Procesit të Berlinit që padyshim dhe padiskutueshmërisht do t’i japë frymë të re rrugëtimit të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit Europian në grup.
Procesi i integrimit, hapja e negociatave, është qartësisht një rrugëtim me risqe të reja në epokën e një lufte në Ukrainë që kërkoi të ndajë perëndimin për të risjellur edhe një herë hijet e një rendi të shkuar që prodhoi dy luftëra botërore të përgjakshme.
Prandaj le ta shohim këtë proces, një rrugëtim për të forcuar demokracinë institucionale, për t’i dhënë një tjetër hov dedikimit tonë ndaj institucioneve euro-atlantike dhe Bashkimit Europian dhe për të vazhduar ndërtimin e një vendi që është realisht për shqiptarët.
Ose do ta bëjmë ne apo do vazhdojmë të gënjëjmë shqiptarët për 30 vite të tjera!