Deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko replikoi me ish-kryeministrin Sali Berisha për të dhënat e nxjerra në shesh nga patronazhistët.
Ai u shpreh se shqetësim real duhet të jenë patronazhistët e Shën Petërsburgut të cilët sipas tij kanë cenuar sigurinë kombëtare. Majko i dha të drejtë Berishës për kërkesën e bërë shumë vite më parë ndaj qeverisë shqiptare për të ndërprerë marrëdhëniet me Iranin.
“Është një akt terrorist që ka prekur interesat e Shqipërinë në radhë të parë. Kemi qenë në disa aktivitete të organizuar nga opozita iraniane. Duhet të pranoj se ai ka pasur të drejtë kur i ka kërkuar qeverisë shqiptare të ndërpresë marrëdhëniet me Iranit. Sot Shqipëria po e përsërit me të drejtë çështjen e patronazhistëve të Partisë Socialiste. Por përpara kësaj është mirë të merreni edhe me patronazhistët e Shën Petërsburgut. Kjo nuk mund të kalojë si papërgjegjshmëri e një ish drejtuesi të PD.
Kjo ka prekur sigurinë kombëtare të shumë vendeve, Drejtues të PD që janë aktualisht në godinë kanë marrë disa hapa por më duket ende si histori e debatit të brendshëm në PD. Duhet trajtuar fakti se Shqipërisë nëpërmjet një partie i është prekur siguria kombëtare. Dhe kur preket siguria kombëtare pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë, kjo është shumë serioze. Patronazhistët e Shën Petërsburgut janë shqetësimi real. Dhe jo të bëjmë ironi. Ne jemi aktualisht në një akt terrorist nga ana e Iranit.
Por problemi është partia që u krijua nga idealet e Perëndimit ka marrë para nga Rusia. Keni marrë fondet e prapambetura. Ajo që ka ndodhur me PD, që është quajtur partia e studentëve ka marrë para ruse. Këto para nuk do i gjeni te PS. Ajo për të cilën fola sot këtu ne si vende anëtare të NATO nuk mund ta kalojmë me një komision të brendshëm auditi”, deklaroi ai.