NIKOLETA KOVAÇI/ Në fillim të korrikut, Policia e Tiranës mori një sërë të dhënash për baza armatimi në të katër anët e kryeqytetit.
Pasi ishte realizuar zbulimi i disa bazave, dy të rinj, një vajzë e një djalë, do të ndaloheshin pasi ata po udhëtonin në të njëjtin mjet bashkë dhe me vete kishin një armë zjarri. Policia ndërhyri në dy ambiente me qira dhe arriti që brenda tyre të zbulonte një arsenal me armatim thuajse të ri; snajperë, selenciatorë, maska dhe radio policie. Të rinjtë u vunë në pranga, armët u sekuestruan, ndërkohë Policia nxori emrin e një personi që quhej Fatjon Murati dhe u tha se ishte ai personi që posedonte armët.
Fatjoni u zhduk dhe pas më pak se një muaji, emri i tij risillet nëpër dokumentet e Policisë pas presionit të madh të opinionit publik për ngjarjen horror në urën e Fushë-Krujës. Ndonëse Policia nxori një dokument sekret, në të cilin listoheshin 6 persona, dëshmia e të cilëve në lidhje me atë masakër ishte domosdoshmëri, personat nuk dihet ende nëse janë marrë në pyetje, edhe pse të paktën 5 prej tyre vijojnë të jenë brenda kufijve. Ndërkohë që nga këta 3 po udhëtonin në të njëjtin mjet të blinduar mbrëmjen e së shtunës në Tiranë.
Policia tha se i shoqëruam në sajë të një operacioni blic, ku doli emri i Indrit Dokles, ish-anëtarit të Bandës së Durrësit, të dënuarit me burgim të përjetshëm dhe një nga personazhet me shumë rekorde kriminale, rekorde që datojnë dy dekada. Dokle u hetua dhe dënua për 12 akuza, por u lirua me kusht që ai për 5 vite të mos kontaktonte dhe as të shoqërohej me persona me probleme me ligjin. Por mbrëmjen e së shtunës, Dokle ka qenë në praninë e një të kërkuari, ndërkohë që ai bashkë me kunatin e tij janë liruar menjëherë nga Policia. Vetëm i kërkuari u mbajt në pranga, ndërkohë që Policia e Tiranës nxitoi të dilte në një komunikatë orëve të vona të sqaronte se Fatjon Murati ishte i kërkuar për mbajtje arme pa leje.
NDALIMI, LIRIMI DHE ‘IMPLIKIMI’
Indrit Dokle, Fatjon Murataj dhe Gentian Reçi janë shoqëruar të shtunën nga Policia e Tiranës në bulevardin “Migjeni”. Ata po udhëtonin me një makinë të blinduar me targa bullgare. Sipas të dhënave, Dokle kishte me vete edhe familjen e tij, ndërkohë që në timon ka qenë Gentjan Reçi, ndërsa në sediljen e parë të mjetit i kërkuari i Policisë, Fatjon Murataj. Gruaja dhe fëmija janë larguar në drejtim të banesës së tyre me një mjet tjetër, shërbimi taxi, ndërsa tre të tjerët janë mbajtur në Polici për sqarime të mëtejshme. Në fakt, Dokle dhe Reçi janë lënë të lirë brenda pak kohe, por Murataj është mbajtur në pranga.
Policia e Tiranës nuk bën me dije nëse tre personat e shoqëruar kanë pasur armë me vete, kur kujtojnë se që të tre kanë qenë të skeduar për t’u marrë në pyetje për masakrën e kryer në Fushë-Krujë, vetëm pak ditë pas zbulimit të arsenalit të armëve ku ishte i përfshirë Murataj. Sipas të dhënave të policisë bëhet me dije se tre të shoqëruarit nuk kanë pasur probleme të tjera, përveç Muratajt, i cili është mbajtur në pranga dhe ditën e sotme pritet të dalë para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë për çështjen e arsenalit të armëve të zbuluara në dy baza të marra me qira ku u arrestuan dy të rinjtë, një vajzë dhe një djalë.
Shoqërimi i Indrit Dokles, të dënuarit me burgim të përjetshëm që u lirua në vitin 2020 për sjellje të mirë nga burgu, bëri bujë të madhe të shtunën mbrëma, pasi emri i tij përveç masakrës në FushëKrujë u përfol edhe si person që ka dijeni për rrethanat e zhdukjes së Ervis Martinajt, 40-vjeçarit me origjinë nga Burreli, që sot konsiderohet edhe ngjarja më e mistershme për të cilën policia dhe prokuroria nuk kanë asnjë të dhënë për ta ndarë me opinionin publik.
Prej tri ditësh RENEA dhe FNSH-të e disa rretheve kanë hyrë në aksione nëpër zona ku pretendohet se është parë për herë të fundit, por pa mundur të zbulojnë asnjë gjurmë. Ose të paktën Policia e Shtetit i serviri operacionet e forcave speciale si kërkime për Ervis Martinajn.
Tre të shoqëruarit e së shtunës duhej të pyeteshin për masakrën e Fushë-Krujës
Indrit Dokle u konsiderua si një prej personave kryesorë që duhej të pyetje për ekzekutimin mafioz të ndodhur më 17 korrik, rreth orës 14:00, në mbikalimin e Fushë-Krujës. Një ushtri me vrasës, rrethuan automjetin, në të cilin udhëtonte djali i xhaxhait të Ervis Martinajt, Brilanti dhe dy shokët e tij dhe lëshuan mbi mjet mbi 90 plumba. Më pas, një tjetër person, zbriti në tokë me një bidon benzine dhe i vuri flakën mjetit, brenda të cilit kishin mbetur të pajetë Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj.
Dikler Vata, i cili u gjend në sediljen e pasme, tentoi të dilte i gjallë nga makina e bërë shoshë dhe me skuadër qitësish përpara, por ai u vra pak metra larg vendit, ku po u vihej flaka trupave të dy miqve të vet. Gjithçka ndodhi në sytë e dhjetëra kalimtarëve, por Policia nuk mundi të shquante asnjë mjet të dyshimtë e aq më pak autorët e asaj masakre. Sipas të dhënave të mëvonshme, Policia bëri njoftim për ndalim në kufi dhe kërkonte pyetjen e Murataj, të Indrit Dokles dhe kunatit të këtij të fundit, Gentian Reçi, nën dyshimet se mund të kishin dijeni për ngjarjen, përderisa ishin në konflikt të ashpër me Ervis Martinaj.
Dokle dha shpjegime në lidhje me ngjarjen afro 3 javë më parë në Policinë e Durrësit, ndërsa Murataj me gjasë do të pyetet tashmë që është vënë në pranga. Dokle u pyet nga Policia dhe në dëshminë e tij, ku mohoi lidhjen me ngjarjen duke ofruar dhe një alibi. Ai tha se mund të vinte në dispozicion dhe kamerat e vendit ku kishte qenë në kohën kur ndodhi vrasja e trefishtë në Fushë-Krujë. “S’kam lidhje me ngjarjen, nuk kam asnjë konflikt me ta. Jam ndodhur më një ambient me kamera sigurie kur ka ndodhur ngjarja dhe mund tua vë në dispozicion”, mësohet të ketë thënë Dokle.
Të shtunën ai u shoqërua pas ishte në makinë me Fatjon Muratajn, i cili ishte në kërkim për armëmbajtje pa leje. Krahas faktit që ishte në kërkim për armët, emri i Fatjon Muratit, sipas raportimit të bërë me herët, gjithashtu u lakua pas vrasjes së 17 korrikut të Brilant Martinajt, Dikler Vatës dhe Besmir Hoxhës. Ai pritet të dalë brenda afatit ligjor për masë sigurie në gjykatë, ndërsa hetimet për Doklen e Reçin vijojnë. Indrit Dokle rifitoi lirinë me kusht nga Gjykata e Krujës afro 2 vite me parë, ndonëse ishte dënuar më burg përjetë. Emri i tij doli sërish në skenë, pas dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani, i cili tha se Ervis Martinaj i kishte premtuar shumën prej gjysmë milioni euro për ta eliminuar ish-të dënuarin.