Në paketën fiskale 2023, gjoba për mospagimin e tatim-fitimit në kohë do të bëhet progresive.
Aktualisht gjoba për mospagimin në afat të kësteve të tatimit mbi fitimin aktualisht është në masën 10% të tatimit të papaguar.
Ministria e Financave arsyeton se, duke qenë se masa e kësaj gjobe është e njëjtë pavarësisht vonesës në pagesë të këstit, pra e njëjta gjobë paguhet si për 1 ditë vonesë, ashtu dhe kur nuk e paguan fare, propozohet rishikimi i këtij dënimi dhe përcaktimi në bazë të ditëve të vonuara të pagesës së këstit të tatim fitimit, por jo më shumë se 365 ditë, me qëllim nxitjen e tatimpaguesve për pagesën sa më parë të detyrimit.
Ndryshimet në paketën fiskale 2023 përcaktojnë se “Mospagimi në afat i kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin korporativ dhe tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi dhe vetëpunësimi, sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, dënohet me gjobë, në masën 10 për qind të shumës së këstit për t’u paguar plus kamatëvonesën e llogaritur për ditët e vonuara, por jo më shumë se 365 ditë.
Paketa fiskale 2023 riktheu filozofinë e rritjes së penaliteteve, pasi një pjesë e mirë e ndryshimeve përfshijnë dyfishimin e penaliteteve ndaj evazorëve. Burimet nga organizatat e biznesit bëjnë me dije është dyfishuar masa e gjobës për punonjësit e paligjshme për nën-raportimet e gjendjes ne arkë dhe masa të tjera të dënueshme me gjobë të parashikuara në legjislacionin aktual ndaj evazionit fiskal, por këto masa sipas tyre e përkeqsojnë më tej klimën e biznesit në vend e cila tashmë e rëndë për shkak të krizës ekonomike.
Paketa e re fiskale gjithashtu rritin penalitetet për tatimpaguesit entitete për mosdeklarim të punonjësve dhe fshehje të pagës.
Në legjislacionin aktual penaliteti është 100% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për të gjithë tatimpaguesit.
Në ndryshimet e reja bëhet 200 % të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për tatimpaguesit entitete juridike dhe 100 % të detyrimit dhe kontributit për të gjithë tatimpaguesit e tjerë. Sipas Ministrisë së Financave ky ndryshim vjen si rezultat i domosdoshmërisë për ashpërsimin e penaliteteve për këtë kategori shkeljesh dhe tatimpaguesish.
Nga janari 2023, tatimpaguesit e mëdhenj (subjekt i tatimit mbi fitimin) nëse kapen nga organet tatimore duke bërë furnizime pa fatura për herë të dytë do të gjobiten me 1.5 milionë lekë (rreth 13 mijë euro), ose 10 herë më shumë se në legjislacionin aktual, që deri tani ishte 150 mijë lekë.
Kjo është gjoba më e lartë që është parashikuar ndonjëherë për bizneset në historinë e pas tranzicionit/Monitor