Pas shumë muajsh përplasje deputetët e Partisë Demokrtiake janë parë sot në një tryezë, të bashkuar për gjyqin e deputetit Ervin Salianji. Ky i fundit është dënuar me një vit burg për dosjen “Babale”, që lidhet me përgjime të bujshme të publikuara pak vite më parë.
Në ambientet e jashtme të saj, sot janë shfaqur një numër i madh deputetësh demokratë, ata të grupimit të drejtuar nga Sali Berisha dhe ata të grupimit të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj. Pavarësisht ndasive politike që kanë, sot ata janë bërë bashkë për kolegun e tyre dhe do të jenë në sallën e gjyqit.
Deputetë Luçiano Boçi, Luan Baçi, Zef Hila, etj, të Rithemelimit janë bërë bashkë me deputetë si Gazmend Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Sajmir Korreshi dhe Arbi Agalliu të grupit Alibeaj, dhe qëndrojnë në kafe së bashku me Salianjin.
Këtë foto e ka ndarë edhe deputeti Xhelal Mziu i cili shkruan “më në fund filloi bashkimi i PD”.
“Më në fund filloj bashkimi i PD, nga gjyqi i Salianit, të deleguarit e grupeve, kandidatët e përbashkët e deri tek unifikimi i PD dhe në finale, fitorja në zgjedhjet vendore 2023!” shkruan Mziu në postimin e tij.