Fjalimi i kreut të Partisë Republikane mbrëmë në Kuvend, ku u miratuan disa ndryshime në ligjin e dosjeve, Fatmir Mediu:
Unë them që bërë mirë që erdhe, se filluam me tradhtarë kriminelë e hajdutë në mëngjes dhe përfunduam në përqafime, në fund e prishe atë përqafimin. Jo, jo, kështu po shkonte drejt përqafimit, shyqyr ngrinim moralin, dinjitetin e gjithsecilit se po bënim gjënë më të mirë.
Është për të ardhur keq ky lloj patetizmi pak dhe konsensual i sotëm që është sa qesharak, por dhe i dhimbshëm. Është qesharak sepse i shkelim syrin njëri-tjetrit për një gjë që ne e dimë shumë mirë se nuk të bëjë me të përndjekurit politikë. S’ka të bëjë as me respektin me njëri-tjetrin, nuk ka as të bëjë me qëllimet e përbashkëta. Në mënyrë të padiskutueshme jo sepse s’kemi treguar dhe tani që kemi ecur në atë rrugë. Deri në mëngjes, ose deri para dy orësh ishim ‘fyt më fyt’ me njëri tjetrin, pastaj ndryshuam menjëherë.
Padyshim që ka interesa politike dhe këto na bëjnë ndonjëherë, ose na ndajnë, ose na bashkojnë. Por është edhe i dhimbshëm sepse kur dëgjoj koleg që thonë ‘do ju kthejmë dinjitetin të përndjekurve politikë, do ju japim atyre moralin e munguar”, kujt do i ktheni dinjitetin?!
Po ata për atë dinjitet luftuan kur nuk e kishte asnjëri, kundër sistemit komunist, kujt do i ktheni moralin ju?! Atyre që luftuan kundër komunizmit me atë moral se donin shoqëri të drejtë dhe të lirë? Sakrifikuan veten, u pushkatuan, u internuan, prandaj le të jemi pak të sinqertë me veten tonë, le ta kthejmë nga vetja jonë gjithë analizën. Në qoftë se jemi kundër komunizmit, të paktën të marrim qëndrim si Kuvend i Shqipërisë, për të dënuar krimet e komunizmit, siç ka bërë Këshilli i Europës, Parlamenti Europian.
Është votuar kundër këtu, ka histori të këtij Kuvendi, ka anëtarë që kanë votuar kundër, nuk e kanë dashur këtë. Nuk ka qenë vetëm sot e majta dhe djathta, ka 30 e sa vjet, me gabime, të mira dhe të këqijat, qëndrime që kanë ardhur ndesh interesave të të përndjekurve politikë edhe të pronarëve.
Pastaj, ajo çfarë është më e rëndësishme të nderuar kolegë deputetë, është të shikojmë nga vetja jonë. E tha edhe zonja Doda, kemi të drejtë ne si deputetë të kërkojmë apo të marrim një vendim këtu, të hapen dosjet e Kuvendit të Shqipërisë, të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, për ta parë njërin-tjetrin në sy, pastaj të shikojmë si t’i hapim dosjet e të tjerëve. Prandaj mendoj se duhet të jemi pak më racionalë kur flasim për të bërë atë që është më e mira. Sepse mund të nisemi nga një vullnet i mirë dhe në vend që të ndërtojmë vetëm prishim. Ne nuk kemi memorie historike për fatin e keq dhe prandaj e përsërisim historinë tonë në mënyrë të vazhdueshme.
Dhe unë po përpiqem të kujtoj çfarë ka ndodhur në kohën e komunizmit me krimet makabre që nuk kursyen as 90-vjeçarë, por as foshnje. Janë krime të cilat nuk i parë ndonjë vend tjetër, po ta marrësh në numër popullsie. Komunizmi në të gjithë botën ka ekzekutuar 90 milionë njerëz, 90 milionë! Në Shqipëri janë 5037 burra dhe 450 gra të ekzekutuara nga sistemi komunist. 21778 burra dhe 7367 gra të dënuara me burg për arsye politike. 48217 burra dhe 10792 gra të dëbuara për arsye politike. 11536 familje të cilat janë internuar dhe ka këtu njerëz që e kanë vuajtur internimin dhe duhet ta kujtojnë çfarë ka qenë ajo situatë dhe ajo kohë.
Ka 64 të huaj që janë ekzekutuar nga sistemi komunist, 1215 burra dhe gra të huaj që janë arrestuar në Shqipëri. 95 shqiptarë të Kosovës janë ekzekutuar në Shqipëri. 120 klerikë katolikë janë ekzekutuar gjatë regjimit komunist. 83 bektashinj, 60 klerikë myslimanë dhe 2169 kisha janë shkatërruar, 740 xhamia, dhe teqe… e kështu me radhë. Dhe, e dini pse ndodhi kjo? Sepse tentuan në radhë të parë të godisnin besimin, në mënyrë që komunizmi të ishte besimi i gjithsecilit nga ne.
E dyta, goditën historinë, familjet më patriotike më intelektuale, goditën intelektualizmin që kjo shoqëri të mos kishte dije dhe koshiencë, që ta kontrollonin dhe të bënin siç donin. Dhe unë nuk mendoj se komunizmi ka mbaruar, madje po tenton të rikthehet në shumë vende. Dhe nëse ne nuk do dimë të vlerësojmë historinë, do ta përsërisim atë në mënyrën më të keqe. Se brenda nesh në mënyrën si sillemi është zhvlerësimi për njëri-tjetrin, zhvlerësimi i dinjitetit, zhvlerësimi i raportit njerëzor dhe në mënyrë të padiskutueshme mos vlerësimi i lirive dhe të drejtave sepse ne mendojmë se jemi Zoti dhe dimë se ç’bëjmë dhe duam të bëjmë atë që ne na intereson.
Folët për histori personale… Kam pasur rastin, kam kolegë të mi këtu nga Fieri të njoh dy burra të jashtëzakonshëm. Njëri ka qenë kryetar i të përndjekurve politik të Fierit, tjetri ka qenë nënkryetar i asaj shoqate.
Xhemil Manrova dhe Enriko Veizi. Kur shikoj Ismetin e kolegë të tjerë që kanë qenë e kanë punuar në industrinë e naftës, në historinë time që kam punuar si inxhinier nafte, nuk kam njohur burrë më intelektual por edhe njeri të madh si Enriko Veizi. Komunizmi e vendosi përballë që ta shpallte veten agjent të KGB-së, por dhe ta ndante familjen e tij. Komunizmi bëri atë që nuk e ka bërë asnjë tjetër, ndau familje, vendosi probleme brenda familjes. Shumë të përndjekur, për të shpëtuar pjesën tjetër të familjes kërkonin që të merrnin qëndrime ku ndaheshin me familje, nipër dhe me mbesa, sepse donin ti shpëtonin persekutimit. Dhe unë po ju lutem një gjë, në emër të Zotit…
A ka mundësi të bëjmë vetëm një gjë që të jemi të vërtetë me veten tonë, të paktën të përndjekurit politikë ne nuk kemi moral që t’u kërkojmë t’i hapim dosjen. Jam 100% sot dakord të hapim dosjet, por jo për të përndjekurit politikë. Ata, historinë e dosjeve të tyre e bënë gjatë regjimit komunist, sepse kur askush nuk fliste, ata qëndruan kundër sistemit komunist. U ekzekutuan, u persekutuan, u dëbuan dhe sot jetojnë akoma nëpër konvikte, me një banjë të vetme në industrialen e Fierit apo në vende tjera.
Prandaj, le të jemi pak të ndershëm, këta njerëz nuk mund të përzihen nga ky kuvend, nuk mund t’ju tregojmë moral atyre të cilëve na kanë dhënë ne mundësi që ti shesim moral njëri-tjetrit.
Prandaj kam vetëm një kërkesë që e kam bërë dhe në Komisionin e Ligjeve. Duhet të heqim dorë që ne të përpiqemi të njësojmë historinë e shqiptarëve, kriminelët me krimin, të persekutuarit me persekutorët. Le të hapim dosjet për këdo që do të bëjë karrierë politike, të hapim dosjet për këdo deputet, për këdo qytetar, por asnjëherë për të përndjekurit politikë. Kjo është kërkesa ime për ju kolegë, sidomos për ju të djathtës. Kam dhe një këshillë tjetër, të fundit…
Sa herë që vjen kryeministri këtu, ka interesin e vet politik. Rendja që ne bëjmë pas një debati që s’ka vlerë për ne, nuk na bën as më të mirë, por na bën më të këqij me qytetarët shqiptarë. Ka mundësi të sillemi me shqiptarët në vend që të merremi me debate që s’kanë asnjë vlerë për ta. Se ngelëm brenda një qerthulli, që debatojmë e shajmë njëri-tjetrin dhe shqiptarët nuk dinë ku shkojnë dhe largohen çdo ditë nga Shqipëria.