Nga Jozefina Topalli.
Skandal! Në historinë e parlamentarizmit shqiptar të këtyre 3 dekadave nuk ka ndodhur kurrë që ky institucion të diskutojë për Buxhetin e Shtetit pa pasur Paketën fiskale.
Në Kuvend, në fillim paraqitet Paketa fiskale, diskutohet dhe miratohet, edhe me ndryshime kjo, pastaj fillon shqyrtimi i projektligjit të Buxhetit të Shtetit.
E kundërta është gjëja më absurde dhe qesharake që mund të imagjinohet. Është njëlloj sikur të shkosh në dyqan me ble pa asnjë lek në xhep.
Tallja me institucionin e parlamentit është turpi i vet maxhorancës, është të fyesh dinjitetin e çdo deputeti në Kuvend e mbi të gjitha është të luash me çdo qytetar shqiptar.
Kur pastaj e di se për shkak të korrupsionit të çmendur, të krizës së çmimeve, të çmimeve të transportit, të rënies së fuqisë blerëse, të rritjes së inflacionit, stresi i çdo familjeje shqiptare është rritur si kurrë më parë në tre dekada, kjo pastaj merr emrin pashpirtësi!
Arroganca në raport me shtetin, me pasigurinë e qytetarëve tuaj, me zbrazjen e vendit ka nevojë vetëm për një përgjigje: Ndryshim!
Rasti i fundit është rasti ekzemplar i rrëzimit të parlamentarizmit ku mbështetet Republika jonë!
Deputetët, që mbrojnë këtë absurd, do të regjistrohen në historinë e parlamentit si turpi i tij! Kjo qeveri duhet larguar!