Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i është përgjigjur nga përurimi i shkollës së re “Luan Hajdaraga” edhe atyre që flasin për ndërtimet në Tiranë, duke nënvizuar se shumica e tyre janë vepra publike si shkolla apo pallate për të strehuar të prekurit nga tërmeti.
Ai përmendi ndërtimin e 40 shkollave të reja, lagjet e rindërtuara në Kombinat dhe te “5 Maji”, për të cilat tha se janë disa prej kantiereve ku është investuar më shumë.
“Dua t’i falenderoj të gjithë banorët për durimin. E di që betonieret hyjnë e dalin te Fresku, hyjnë e dalin te Teleferiku, janë një stres i madh për ta. I kuptoj edhe ata që mundohen të përfitojnë pak politikisht dhe thonë ‘na mbyti kjo, na mbyti ajo’. Dua t’ju kujtoj se shumica e lejeve të ndërtimit dhe shumica e punëve që ndodhin në Tiranë, nuk janë punë të privatit, por janë punët e bashkisë.
Shkolla “Sami Frashëri” bllokoi “Rrugën e Barrikadave” për 3 vjet, por ishte ndërtim i yni, ishin betonieret e bashkisë, sepse donim që fëmijët të kishin një super shkollë aty. E njëjta ka ndodhur me shumë prej këtyre komuniteteve, sidomos ndërtimet në lagjen “5Maji” dhe në Kombinat. Pjesa më e madhe e mjeteve që lëvizin, dhe me të drejtë na stresojnë sadopak, janë tonat, janë kantiere të bashkisë, leje për pallatet që po ndërton bashkia për të strehuar familjet e tërmetit, sepse nuk mund të humbasim më shumë kohë me ritmin e atyre që në 4 vite nuk bënë asnjë shkollë, kurse ne mund të themi se në 4 vite bëmë 40 shkolla. Është një diferencë shumë – shumë e madhe”, u shpreh Veliaj.