I prerë, i qartë dhe me KëTë bindje të fortë, u shpreh sot, ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu, në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, i pyetur mbi deklaratën bombastike të të ashtuquajturit biznesmen, Ardian Çapjes, kohët e fundit në një seancë gjyqësore, e cila gërvishi lidhjet e forta të politikës me krimin dhe nxori në dritë emrin e një politikani të njohur me emrin “Taulant”, të përfshirë madje edhe në përgjime.
Klevis Balliu solli për më tepër akoma, fakte të dukshme të mbështetjes së qeveritarëve të sotëm tek organizatat e krimit të organizuar për të mbajtur pushtetit gjithë këto vite dhe më i thjeshti për t’u konstatuar në ta, është ajo që të shpaloset para syve çdo ditë në bashkinë e Vorës: “skena si ato të Cosa Nostras”, tha ai.
Flavio: Z. Balliu, kush është politikani i lartë i Elbasanit – “Taulant”?
Klevis Balliu: Ju doni të bëni pyetjen se keni emisionin, por “Taulant” një ka në të gjithë politikën.
Flavio: Jo mor, se është edhe Taulant Dedja.
Klevis Balliu: Taulant që është në Elbasan me Ardian Çapjan! Është e qartë ajo! Por nuk ka ndonjë gjë të re, sepse as për emision s’ka nevojë, as për Ardian Çapjen për të ditur që Taulant Balla është përfshirë në krimin e organizuar në Elbasan. E di i madh dhe i vogël. Në këtë kuptim nuk ka ndonjë gjë të re.
Edhe prokuroria e di, por prokuroria është e pafuqishme. Krimi këtu është bërë institucion. Bandat kanë ato drejtoritë e veta, këta emërojnë drejtorin, këta emërojnë prokurorë, sepse kanë një marrëveshje me qeverinë “të japim votat, ne bëjmë presion për ty, të sjellim në pushtet, unë dua drejtorin e këtij, drejtorin e KESH-it, dua një prokuror këtu – janë marrëveshje që bëhen. Këtu nuk është më çështja për t’i evidentuar këto problematika. Edhe gazetarët e kronikës i kanë evidentuar më së miri ato. Nuk ka nevojë as për opozitën që t’i thotë. Këtu është çështja e asaj që ka prodhuar dhe prodhimi i këtij krimi kombëtar që është bërë, i këtij bashkëpunimi, është dramatik për vendin.
Ju sot keni të rinj e të reja që iu duhen diploma në fund të ditës. A ia vlen të merresh me arsimin, të diplomohesh apo ia vlen të hapësh një shtëpi bari dhe të vish këtu të caktosh një deputet?! Kjo qeveri e ndryshoi mentalitetin se çfarë është politika, çfarë është arsimi. Faktikisht u ka thënë gjithë të rinjve që nuk ka kuptim kjo shkollë, që ty arsimi s’të duhet, diploma, morali s’të duhet. Ty të duhet të kesh para. Se si i bën paratë, me kokainë, me heroinë, këta s’janë “racistë” në këtë kuptim, edhe kokainën e duan, edhe heroinën e duan, janë dakord. Dhe rinia shikon këtë dhe çfarë ka prodhuar?! Shikoni vrasjet. Të gjithë nga 28, 30 vjeç. Një tmerr i vërtetë. Pjesa tjetër po ikën me gomone në Angli, shteti po vdes, po mbaron. I gjithë prodhimi i kësaj ka qenë. Në 2013-ën ka bërë një fjalim Dr. Berisha, ku i thotë Edi Ramës që marrëveshjen me krimin e ka pasur prej kohësh (për shkak të ndërtimit të pallateve kur ka qenë kryetar bashkie, që shqiptarët të amnistuan. Tani detyra jote është të shkëputesh nga ajo.
Jo vetëm që nuk u shkëput, por e pa pozicionin e Kryeministrit si një pushtet ku ai mund ta përqëndronte edhe më shumë atë bashkëpunim me krimin dhe i futi ata në parlament.
Në ’94- ’05, në grupet parlamentare deputetë kanë qenë më tituj, kanë qenë seriozë, kurse këtu u gjetën për kryetarë bashkie nga ana e anës. Ai Elvis Roshi nuk mbante mend sa emra kishte. Atë në çfarëdolloj emri ta thërrisje, ai kthente kokën, se e kishte ky. Prandaj në këtë kuptim ishte një skandal. Deputetë që ishin kapur me vrasje nëpër Europë – u kap ai kryetari i bashkisë, Kajmaku. E nxori Arta Marku, që kërkoi lehtësi mase për të, kur për protestues që kishin protestuar për shtëpinë e vet kërkonte vetëm burg, kurse për këtë kërkonte lehtësi mase se ky s’ka lidhje me drogën!!! E ky sa doli prej aty mori ato pemët, ato vazot çfarë kishte, futi drogën brenda dhe u kap në Itali!!!
Por problem themelor të paktën në mendimin tim është prodhimi, që këta po e mësojnë Shqipërinë dhe shqiptarët se nuk iu duhet as kultura, as arsimi.
Flavio: Pse kjo ndërhyrje e politikës tek krimi, çfarë do t’i sjellë ky bashkëpunim, ky fuqizim kaq i skajshëm i grupeve kriminale, realitetit tonë?
Klevis Balliu: Marrëveshja është e qartë. A keni parë ndonjë grup që është arrestuar, që përbën problem të madh?! Kush është arrestuar?! Nuk kanë ndonjë dallim ata. Ju keni kryetar bashkie atë të Vorës. Ai nuk e di ku ka zyrën! Kush e lë atë të futet aty?! Rrinë nja 20 vetë aty te dera e bashkisë me çanta, nja njëzet çuna atje që…Ku ka bashki atje?! Atje të kujtojnë ato pamjet e Cosa Nostrës, ku rrinin ata në ato lokalet, ato pamjet e Xhon Gotit. Ashtu janë kthyer bashkitë. Nuk i pyet njeri këta se këta janë kot. Edhe “Taulanti” që themi ne, se është bërë “Taulanti” si….
”Taulanti” është një zar i rëndomtë i Edi Ramës. Nuk është se ata e kanë garancinë te Taulanti! Taulanti është deleguar nga Rama që me këtë bandë i ke ti kontaktet, por ata garancinë e kanë te Rama, se ata nuk presin që t’u thotë Taulanti se unë e kam drejtësinë. Ata e dinë se drejtësinë e ka Rama! Prokurorët i vë Rama. Gjykatat i bën Rama! Se ka rënë shteti dhe është e kotë dhe t’i kërkosh. Shpeshherë më qëllon të përplasem me prokurorin, kam nja 400 procedime penale. Unë e di që ai është pa fuqi, ai është kot aty. Se këtu ka rënë sistemi. Sistemi bie për shkak të goditjes që iu bë drejtësisë, goditjes që iu bë shtetit, goditjes që iu bë sigurisë. Ju keni vrasjet. Çfarë kujtoni ju, se nuk i dinë këta se kush janë? I di Glediona, nuk i di shteti?! Shkojnë këta gazetarët dhe gjejnë plantacione me kanabis. E gjen një gazetar plantacionin me kanabis dhe nuk e gjen dot SHISH-i, ushtria, policia?! Nuk e gjejnë dot këta që kanë satelitë në hënë a në mars a ku vunë?! Këto janë absurditete./ar.sh/SYRI.NET