Ish-kandidati për kreun e PD-së, Fatbardh Kadilli në një bisedë në studion e “Radarit Informativ” në ABC, me gazetaren Juli Xhokaxhi foli për zgjedhjet e ardhshme vendore dhe kandidatët e opozitës.
Sipas tij, të dyja palët e PD-së kanë interes që të mbrojnë pushtetin e tyre dhe jo të përballen me pushtetin aktual.
Kadilli: Edhe projekti që kam shpallur, me ambicien për të kandiduar për Tiranën ka qenë me këtë qëllim, për të bërë më mirë për demokracinë. Të gjitha palët kanë më tepër interes për të mbrojtur pushtetin e tyre mbi një copë të opozitës, se sa të përballen me pushtetin. Qartazi ne po shkojmë të ndarë. Projekti im ishte që t’i shërbeja bashkimit, një projekt që do t’i shërbente të gjithë opozitarëve.
Fakti që kishte një lojë nga të dy palët me qëllimin e vetëm kujt do t’i mbetet fatura pse nuk u bashkuam, e pamundëson projektin tim.
Zoti Kadilli u shpreh se të dy grupimet përpiqen të kontrollojnë sa më shumë pjesë të opozitës dhe nuk krijojnë aksion politik. Sipas tij, forca politike ka nevojë të ndjeje qytetarin dhe t’i japë përgjigje qytetarit dhe ai nuk e shikon këtë te asnjë nga të dy grupimet e PD-së. Në gjykimin e tij, gjuha politike e opozitës sot janë vetëm dy protesta dhe akuza.
Kadilli: Të dyja janë mjete që i ka opozita për të refuzuar pushtetin, por misioni i saj është të shndërrohet në një alternativë konkurruese me pushtetin, jo thjesht ta refuzojë pushtetin. Berisha nuk ka lançuar ide të reja politike në këtë vit, që kur ka marrë drejtimin e PD. E njëjta gjë vlen dhe për grupin e deputetëve, madje ata janë më inaktivë. Shoqëria ka nevojë që të konkurrojë pushtetin autoritar të Edi Ramës, tha Kadilli.
Si mund të jetë një parti shpresë kur komandohet nga një njeri i vetëm? Një nga defektet kryesore që kemi ne si shoqëri është që merremi me personin, jo me idetë. Një person që hyn në politikë i vë vetes një mision, ta çojë shoqërinë përpara, jo t’i shërbejë veseve të saj. Mos i shkoni nga mbrapa individit, por kërkoni idetë e reja politike. T’i shkosh mbrapa një njeriu që ka 30 vite në politikë, qoftë Berisha, qoftë Rama nuk është shpresë. Shoqëria ka nevojë sot për një përgjigje të re.
Ai theksoi se nuk e ka pasur asnjëherë ambicie që të garojë për bashkinë e Tiranës. Ai tregoi në studio se nuk do të votojë për asnjë kandidat në primaret e PD-së, pasi qëllimi i tij ishte që opozita të dilte me një kandidat të përbashkët.
Kadilli: Nuk ka qenë ndonjëherë në ambicien time të garoj për bashkinë. Por gara për bashkinë është të godasësh mu në zemër pushtetin aktual. Në garën që po ndodh brenda PD-së, unë nuk do votoj për asnjë sepse qëllimi ime ishte që opozita të dilte me një kandidat të përbashkët.
Nëse secili shkon pas agjendës së vet dhe shkon me kandidatë që nuk sfidojnë, ne kemi dështuar. Opozita po shkon drejt humbjes turpëruese. Nuk shkon më që t’i bindim shqiptarët që oferta më e mirë është ajo që më garanton mua të bëhem deputet. Jo! Oferta më e mirë është ajo që sjell largimin e pushtetit. Rama mundet nga dikush që është 100% i ndrysëm nga Rama. mundet nga dikush që ka vetëm vlera perëndimore.