Një përplasje e tensionuar ka ndodhur pak minuta më parë në Kombinat mes policisë dhe banorëve të pallatit numër 4 në rrugën Myslym Keta.
Banorëve u është kërkuar të dalin nga banesat e tyre me pretendimin se pallati duhet të shembet pasi është dëmtuar rëndë nga tërmeti i vitit 2019.
Ata kanë kundërshtuar shembjen e pallatit dhe janë përplasur me policinë. Krah tyre ka shkuar edhe deputeti i PD Belind Këlliçi. Banorët thonë se pasi të shembet nuk iu është thënë se ku do strehohen, pasi nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Ata thonë se u është prerë energjia elektrike dhe gjithashtu furnizimi me ujë. Banorët thonë se nuk ka vendim gjykate për prishjen e pallatit dhe se shkalla e vlerësimit për këtë pallat pas tërmetit ka ndryshuar disa herë. Banorët kanë dyshime se pas shembjes së pallatit fshihen interesa të tjera.
“Keni nëna, fëmijë. Ja na nxorrën nga pallati, ku do vemë? E di Erion Veliaj sa janë qiratë e shtëpsië. Të mendoj për ata që janë në çadra. Turpi i zotit kam 32 vite në këtë pallat. Po u shemb pallati ne dalim në rrugë të madhe. Nuk kam shtëpi. Ku do shkojmë, ku do mbytemi. Shko drejtoju gjyqit që të përfitosh me thanë”, kane treguar banoret per mediat.
E moshuara, banesa e së cilës do shembet pasi u është dhënë një shkresë ku thuhet se pallati do shembet, i ka rënë të fiktë. Mes lotësh, ajo kundershton prishjen e banesës së saj, aty ku ka jetuar për shumë vite.
“Ku të shkoj tani unë, është mesi i dimrit”- ka thënë e moshuara, e cila u ndje keq, së cilës i ra të fiktë.
Pallati i banorëve të zonë së ‘Myslym Ketës’ u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019. Fillimisht atyre u është thënë që pallati ka dëmtime të riparueshme dhe u është thënë të ktheheshin në apartamente të cilat i kanë riparuar. Tani atyre u ka mbërritur një vendim ku u kërkohet që të dalin jashtë pasi do të shembet pallati.