Çfarë na thotë Ura e Zogut për mënyrën se si qeveriset Shqipëria?

0
24
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Alfred Lela

E imagjinoj Urën e Zogut mbi lumin Mat, në grykën aq të bukur që del nga malet mes Lezhës dhe Mirditës, si një monument estetik dhe etik në historinë e Shqipërisë.

Për shembull, e shoh të ndriçuar nga poshtë-lart, duke u dhënë atyre harqeve një prarim që ua lëbyr, me dritë dhe lehtësi, rrugën udhëtarëve të atyre anëve dhe netëve.

Herë të tjera e parafytyroj si muze të inskenuar të arkitektonikës në Shqipëri, një lamije ku përplasen në harmoni otomania me neoklasiken për t’u përndjekur nga brutalja e socializmit real të diktaturës.

Pse jo, të dielave i shoh aty tezgat e drunjta dhe mallrat e shumta të pazarit të famshëm të Milotit (me kujdesin e madh, ama që në fund të ditës arkat dhe qeset të mos hidhen në lumë, siç është zakoni anëve të Shqipërisë).

Për koncerte, ekspozita, panaire e me radhë, mund të funksionalizohej Ura e Zogut, e cila do t’i shtonte një tërheqje të re zonës, aty ku Mati hapet për në Adriatik me madhështinë e një erashke në dorën e Zotit.

Ministria e Kulturës dhe e Turizmit mund të kishin bashkuar forcat për diçka të tillë me pushtetin vendor. Por, para kësaj imagjinate duhej bërë themelorja: ruajtja e urës.

Një hap do të kishte qenë “inventarizimi” i dëmeve dhe i qëndresës së strukturës dhe më pas meremetimi dhe ruajtja e habitatit që e rrethon, d.m.th. e shtratit të lumit.

Në të gjithë zonën përreth dallohen lehtësisht kafshimet nga firmat që nxjerrin inerte nga lumi duke e bërë shtratin e tij një krater pas bombardimeve.

Ky bashkim i triumfit të interesit privat me shpërfilljen e shtetit dhe të shoqërisë për gjënë publike, e bën Urën e Zogut monument të lartë dhe të gjatë të një Shqipërie që ndërton të ardhmen duke shkatërruar të shkuarën.

Mos vini asnjë bast kundër kësaj aksiome: e ardhmja pa të shkuarën nuk qëndron, është vetëm një skizofreni shpirtërore, që kërkon distancë aty ku nuk mund të ketë asgjë veç ngjizjes.

Ura si monument dhe monumentet e së shkuarës si urë që na hedhin te e ardhmja, janë qartësisht të mposhtura dhe të neveritura në qeveritë Rama.

Këtë të fundit, neverinë, Kryeministri e ka shfaqur publikisht dhe pa teklif për të gjitha artefaktet e mbetura në peisazhin arkitektonik dhe kulturor të Shqipërisë që nga koha e mbretit Zog: Teatri Kombëtar, vilat në lagjet kryesore dhe aristokratike të Tiranës, sheshi Skënderbej e me radhë.

Kujtoni se edhe ura mbi lumin Mat është e kohës së mbretit dhe quhet si për sfidë, Ura e Zogut.

Bash e kundërta ka ndodhur me stacionet e komunizmit në hapësirën urbanistike apo arkitektonike të Shqipërisë.

“Shtëpia e gjetheve” është rifunksionalizuar si muze; bunkeret e Enverit në Dajt dhe bulevard janë quajtur “BunkArt”; “piramida” apo mauzoleu i diktatorit gjithashtu është drejt asaj që Veliaj e quan “rijetësim”.

Psikologjikisht me sa duket, Edi Rama kërkon t’i shërbejë rupturës (shqyerjes) së madhe që Enver Hoxha futi në historinë e Shqipërisë, duke ndërprerë lidhjet me periudhën e Zogut dhe duke filluar erën e tij si në politikë ashtu dhe në urbanizim.

Këtu sigurisht ka fajet e veta edhe e djathta shqiptare, si ajo e traditës edhe e reja që ka bërë pak ose aspak për ta ndërprerë rupturën dhe për të rijetëzuar shenjat e jokomunizmit në peizazhin arkitektonik dhe urban.

Në çdo rast kjo nuk është leje për qeverinë e majtë për ta konsideruar historinë e Shqipërisë si “të fituesve dhe humbësve”, por si një përbashkësi ku biem dhe ngrihemi të gjithë, në orët e liga dhe të mira.

Në fund, për të mos e marrë këtë përsiatje si një tjetër anatemë kundër qeverisë së radhës, kujtoni sa miliona euro janë hedhur nëpër Shqipëri për të ashtuquajturën “Rilindje Urbane”.

Shumë! Vend e pa vend! Në mos qoftë dashakeqësi, është amatorizëm.

Me një përkujdesje dhe investim minimal, hequr qoftë edhe nga fondi i majmë i Rilindjes Urbane, Ura e Zogut nuk do të ishte sot simbol ngalakeq i një qeverie që kërkon të bëhet regjim sepse – historia na mëson – regjimet, më parë se nga shtypja politike, nisin nga imponimi estetik dhe kulturor.

Zjarr Tv Ad