Dhjetëra familje të pallatit nr.4 në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë kanë mbetur rrugëve që këtë mëngjes, pasi bashkia e Tiranë me forca policore i nxori jashtë për t’ua shembur pallatin me pretekstin se ishte dëmtuar nga tërmeti, në një kohë kur prej tre vjetësh ata kanë jetuar aty pasi vetë pushteti vendor kishte deklaruar se pallati ishte i banueshëm.
SYRI TV ka pyetur sot tre prej banorëve, që deklaruan se i kanë dokumentet e apartamentit ku kanë jetuar prej vitesh, por nuk janë kompensuar me asgjë nga bashkia ndërkohë që i kanë detyruar të dalin jashtë. Më rëndë u paraqit rasti i një të moshuare, e cila e kishte të vështirë edhe gjetjen e një apartamenti me qira.
“Ku do të jetoni tani?”
“A keni ndonjë të afërm?”
E moshuara: Nuk kam nevojë për to, unë kam kërkuar të vijë ai zagari Erion Veliaj, të na ballafaqojë, të na shohë, të na çojë. “Merrni me qira” thotë. Ku të gjejmë qera, ne?! ku ka shtëpi me qera?!
“Kur ka qënë dita e fundit që keni jetuar në apartamentin, në pallatin që u shemb?”
E moshuara: Dje dolëm. Ca gjëra brenda janë, disa janë jashtë atje, poshtë në oborr.
SYRI TV pyeti edhe një zotëri, që tregoi: “Kemi 30 vjet që jetojmë aty. I disponojmë të gjitha dokumentet të rregullta.”
“Kur ra tërmeti para tre vjetësh, çfarë marrëdhëniesh keni pasur me bashkinë, me pushtetin vendor?”
Zotëria: Asnjë lloj marrëdhënieje. As më kanë ardhur, asgjë nuk kemi marrë. Kanë ardhur aty, kanë parë dhe kanë ikur.
Një fqinjë shpjegoi: “Më thanë mua, janë të banueshëm. Është pallat i banueshëm! Për kompensimin e pronës nuk kam marrë asgjë. Tek bashkia kam shkuar dhe më kanë thënë: “Zonjë, është pallat i banueshëm! Dhe nuk kërkova asnjë gjë. Na thanë për bonus…Bonus nuk na dhanë fare.”