Një drekë e thirrur nga deputeti Xhelal Mziu për festat e fundivitit, që bëri bashkë demokratët e dy kampeve, ka nxitur shumë reagime.
Në drekë munguan disa deputetë, mes të cilëve dhe Enkelejd Alibeaj, i cili tha se e ka marrë ftesën, por ka refuzuar që të shkojë në një drekë që i ngrihen kurthe dhe prita.
“Unë sapo dal nga darka me demokratët e Durrësit dhe po shkoj te darkë me demokratët e degës dy në Tiranë. Për drekën që ju thoni kam pasur një ftesë dhe e kam refuzuar. Sepse kur në ftesa ngrihen kurthe dhe prita nuk i pranoj. Kam aq mundësi sa t’i nuhas dhe t’i refuzoj,” tha Enkelejd Alibeaj.
Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi drekën si një fillim të ri për grupin parlamentar të PD-së. Por në fakt, deputeti Gazment Bardhi tha se dreka nuk kishte asnjë qëllim politik dhe keqpërdorimi i saj është një lëvizje e dëshpëruar. Bardhi theksoi se në fesat e në vaki nuk i zgjedhin dot të ftuarit, por kjo drekë nuk është një fillim i ri.