Mandati deputetes Olta Xhaçka, nis seanca në Gjykatën Kushtetuese për ministren e Jashtme, a do i hiqet mandati?

0
61
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Gjykata Kushtetuese ka nisur pak minuta më parë seancën e parë për kërkesën e deputetëve demokratë, për heqjen e mandatit të ministres së Jashtme Olta Xhaçka. Kjo, pasi bashkëshorti i saj Artan Gaçi është shpallur investitor strategjik.

Sipas avokatit të Xhaçkës, Genci Çifligu, shqyrtimi i papajtueshmërisë së mandatit në Gjykatën Kushtetuese është në tejkalim të afateve kohore të parashikuara në ligj dhe kësisoj “nuk përbën subjekt kushtetues”.

Kërkesa thotë ai, duhet çuar në gjykatë jo më vonë se 3 muaj nga konstatimi i papajtueshmërisë.

Mbrojtja këmbëngul po ashtu se nuk ka qenë vetë Xhaçka që ka bërë veprime që mund të çonin në përfitime nga pasuritë publike dhe se është e parregulluar në ligj përgjegjësia që duhet të ketë deputeti për sjelljen e familjarëve të tij.

“Kushtetutëbërësi ka vënë kushte në sjelljen e secilit deputet, por në këto parashikime nuk merret  parasysh sjellja apo kushtet e një entiteti tjetër të ndryshëm nga deputeti, si në rastin konkret ajo e një shoqërie tregtare, qoftë me ortak/aksioner bashkëshortin e deputetes,” thuhet në dokumentin e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkohë, deputetët e Partisë Demokratike pretendojnë se Xhaçka ka shkelur Kushtetutën duke përfituar nga pasuritë publike, pasi bashkëshorti i saj fitoi statusin “investitor strategjik” dhe të drejtën për përdorimin e bregdetit para hotelit që do të ndërtojë në jug të vendit.

Kompania e Gaçit, ish-deputet i Partisë Socialiste, mori në mars të vitit 2021 statusin ‘investitor strategjik’ për ndërtimin e një hoteli me pesë yje dhe me kapacitet prej 106 suitash në Dhërmi, të quajtur “Dreamades Luxury Suites”.

Statusi “investitor strategjik” parashikon përfitime publike për fituesin, reduktim të TVSH-së,  procedura të përshpejtuara administrative, akses në infrastrukturë dhe rrjetin elektrik, si dhe përdorimin e tokës shtetërore si plazh para hotelit.

Zjarr Tv Ad