Artan Hoxha ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku është folur për aferën e inceneratorëve, luftën e brendshme që ka shpërthyer mes pjesëmarrësve në këtë aferë dhe faktin që SPAK ende nuk po e zbardh atë.
Hoxha deklaroi se personazhet e inceneratorëve “kanë hapur një gropë të madhe” dhe duan të hedhin njëri tjetrin, por rrezikojnë të bien të gjithë brenda.
Ai gjithashtu foli për kërkesën e SPAK për të shpallur në kërkim ndërkombëtar Mirel Mërtirin dhe procesin për ekstradimin e Stela Gugalljas nga Austria, që tashmë është në gjykatë.
“Dihet adresa e të dyve edhe e Mirel Mërtirit edhe e Stela Gugalljas. Është histori që po e zgjasin pafund. Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë kohë u jep personave të humbin gjurmët.
Kjo histori po përdoret për luftë të brendshme brenda mazhorancës. Po përdorin këto histori për ti bërë gropën njëri tjetrit, por e kanë bërë gropën aq të thellë, sa mund të bien të gjithë brenda. Po kapën njërin, nuk e mban ai burgun.
Në rastin konkret, kanë hapur gropë të madhe për Arben Ahmetajn. Mirëpo harrojnë një gjë tjetër, Arben Ahmetaj ka dalë shpejt nga ajo lojë.
Këta që kujdesen mos t’ju përmendet emri, harrojnë që nëse hapet seriozisht historia, Ahmetaj del me ndonjë dardhë në dorë, por thasët dhe “dardharët” janë të tjerë.
Uroj t’ju shtohet inati, sepse u bëjnë gropën njëri tjetrit, por kjo histori nuk mbyllet kështu.U përpoqën ta mbajnë nën kontroll zotin Koka që të mbyllet aty zinxhiri.
Pastaj çuan Alqi Bllakon dhe e bindën të dorëzohej. E kanë kuptuar që nuk mbaron me kaq dhe po kërkojnë një më të rëndësishëm. Janë një seri vendimesh që janë marrë në Këshillin e Ministrave, kanë firmosur shumë njerëz.
Nëse hetohet vërtetë, do të na bëjë shërbim të madh. Minimumi nuk do të paguajmë aq para sa paguajmë, për një shërbim që nuk e marrim.