Nga Carlo Bollino
Disa media afër Sali Berishës lidhën emrin tim me një përgjim hipotetik vjedhur në një kafene, ku përfshihet gazetari Adriatik Doçi. Një përgjim ku nuk dëgjohen asnjëherë pyetjet dhe nuk dimë akoma se sa autentik dhe i plotë është. Adriatik Doçi, për 8 orë në ditë punon për Shqiptarja.com dhe Report Tv dhe gjatë gjithë pjesës tjetër të kohës së tij, si shumë gazetarë të tjerë, punon me kë dëshiron dhe siç është lehtësisht e verifikueshme, merr pjesë dhe në shumë emisione të shumë tëlëvizioneve të tjera.
Pavarësisht kësaj, u prezantua nga qehajajtë e Berishës si “gazetari i Carlo Bollinos”. Në ”përgjimin” Adriatik Doçi duket se i shpjegon një gazetareje të re, që mësa duket i është prezantuar atij për të kërkuar punë, se si funksionon tregu i deformuar i mediave shqiptare, një deformim ndaj të cilit luftoj prej 30 vitesh. Doçi duket se i shpjegon se shumë media paguhen nga biznesmenë për të mos publikuar lajme të sikletshme. Praktikisht biznesmenët, dhe duket se kuptohet edhe ministrat, zëvendëskryeministra apo kryeministra (aktualë apo ish?), korruptojnë gazetarët për të mos u bezdisur në aferat e tyre të pista. Pra, për të mos u goditur.
Natyrisht, jam plotësisht dakord që gazetari që pranon të paguhet për të heshtur të vërtetën është fajtor, por edhe kush korrupton nuk më duket i pafaj: Si të thuash që, do të ishte e mjaftueshme që nëse këto viktima do të ishin të ndershme dhe të mos kishin asgjë për të fshehur, edhe gjobat e gazetarëve do të merrnin fund. Po këto janë konsiderata tepër të holla për inkuizitorët berishianë të cilëve nuk iu intereson as logjika, as e vërteta. Janë të njëjtët që mbrojnë pa pikë turpi një ish ministër socialist nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash dhe godasin gazetarët që e demaskojnë. Duke filluar pikërisht nga Adriatik Doçi. Dhe pastaj natyrisht më godasin dhe mua sepse kështu janë mësuar të bëjnë prej 30 vitesh.
Unë nuk jam dakord as edhe me një fjalë të vetme mes atyre që mendohet se ka thënë Adriatik Doçi, duke filluar nga fakti se për një gazetar do të ishte I mjaftueshëm “perceptimi i fajësisë” për të sulmuar dikë. Për mua është e kundërta, cilado akuzë, ose duhet të jetë e provuar në dokumente, ose nuk publikohet. Nëse do të ndaleshim tek perceptimet, edhe Adriatik Doçi në ato përgjime perceptohet si fajtor, ndërsa unë dua të besoj se nuk është. Është e pabesueshme edhe që dikush paguan një gazetar për t’i mbyllur gojën, edhe pse ndodh në gjithë median botërore (nga Europa në Shtetet e Bashkuara), sipas një rregulle të pashkruar, që një klient publicitar mbrohet. Por mbrojtje nuk do të thotë kurrë komplicitet me paligjshmërinë e tij. Në Shqipëri, për hir të së vërtetës ndodh edhe e kundërta: Janë biznesmenët që shpesh shantazhojnë mediat duke pretenduar heqjen e lajmeve të sikletshme duke kërcënuar me heqjen e reklamës!
Vendimi për të mos publikuar një lajm, kudo në botë, i takon vetëm botuesve, jo gazetarëve dhe kështu imagjinoj se Adriatik Doçi në atë moment ndoshta flet si “botues” i ndonjë ”portali” që mesa duket administron nga anonimati dhe sigurisht aspak si gazetar i Shqiptarja.com apo Report TV ku kurrë asnjë gazetar dhe as ai, nuk ka marrë urdhëra dhe as mundësi për të hequr lajme të vërteta, nderkohe qe kjo ka ndodhur vetëm në rastin kur provat e pakundërshtueshme kanë treguar se ka qenë lajm i rremë. Personalisht jo vetëm që nuk i kam vënë kurrë asnjë gjobë asnjë biznesmeni dhe asnjë politikani, por edhe kur një oligark i shëndetit publik privat si Klodjan Allajbeu (financues i familjes Berisha dhe njëkohësisht koncensionar i qeverisë së Edi Ramës), guxoi të kërcënonte zyrën time të marketingut për të hequr një lajm të vërtetë, për atë të dëmshëm, ndryshe do të ndërpriste reklamën, dhashë urdhër të lihej lajmi, duke zgjedhur të humbisnim reklamën.
Ky është principi që më ka udhëhequr gjithmonë në 42 vite profesion gazetari, brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe nuk do të jetë ndonjë portal shpifës, ndonjë palo-gazetar në mërgim apo ndonjë politikan gjobaxhi, të vërë në dyshim integritetin tim. Sa i takon Adriatik Doçit ai e di shumë mirë se cilat janë rregullat etike, profesionale dhe deontologjike që duhet të zbatohen për të punuar te Shqiptarja.com dhe Report TV. Deri tani me mua i ka respektuar gjithnjë. Por nëse ka ndryshuar ide apo profesion, do të ishte mirë të ndryshonte edhe botues.