Nga Flavio QARRI
Një komunitet zakonshëm i heshtur u zgjua dje. Komuniteti i elitarëve të shërbimit dhe përfitimit na u skandalizua. U prek. Ndjeu gishtin e një qytetari t’i guduliste sedrën e përkorë. Një komunitet që nuk u prek për asgjë të ndodhur në përditshmërinë e këtij vendit tonë në zvogëlim e sipër.
Për herë të parë kam përdorur togfjalëshin “annus horribilis” në 2016. Sigurisht Shqipëria ka parë plot të tillë. Por çuditërisht nga 2016 e këtej sikur po përsëriten me një shpejtësi këmbëngulëse. E megjithatë të prekurit e sotëm, hiç. Pus. Varr!
I pamë ama kur na kërkuan një nder. Na kërkuan të silleshim si qytetarë ndeshjen e kthimit nga Beogradi. Na kërkuan që flamuj të Kosovës e Shqipërisë a larg qoftë simbole tona të tjera nuk duhej të kishte. Na kërkuan të bënim si europianë e të mos ofendoheshim nga vrasja e mbetur në tentativë e djemve tanë. Disa ishin dhe gazetarë që mezi dolën nga Beogradi.
Më pas u ofenduan shumë. Ky grup vajtoi për ditë të tëra. Për çfarë?
Një pemë. Jo pisha flamur e Llogarasë. As rrapi në Mashkullorë. Ishte një pemë plastike në shesh! Qanë me oi për atë pemë, kauçuku i së cilës nuk kushtonte sa tenderi i dekorit pashmangshmërisht. Këta u prekën kur u vra Klodian Rasha. Jo për Klodianin jo, mos u bëni naivë. Këta u prekën pse qytetarët e Shqipërisë po bllokonin rrugët. Si mundet të bësh një vepër të tillë penale?! (Në vendin e padrejtësisë sociale bllokimi i akseve rrugore dënohet me burg). Nuk na lanë të ishim as europianë sa grekët e rinj e të lashtë se u prekën nga bllokimi i Zogut të Zi dhe disa nga këta të prekur arritën te zgjidhja personale. Besoj e mbani mend që njëra i “shtyu pak” ca protestues që e kishin prekur ndjeshmërinë shoqërore të komunitetit të saj të të paprekshmëve.
Pas qëndrimeve ulëritëse të dikujt që me mandat kushtetues shkel çdo parim e lë pa bukë qytetarët e vet se ata nuk e votojnë, mendova se dikush do fliste nga këta. Do i thonin ajetollahut politik të tyre se Kushtetuta edhe mes zuluve është vijë e kuqe dhe edhe ata që nuk votojnë regjimin mbeten shtetas shqiptarë për të cilët ligji e shteti duhet të punojnë njëjtë. Por jo!
Ata u zgjuan se një qytetar i preku. Këlliçi pas lënies së mandatit dhe i kandiduar jo nga opozita zyrtare (ajo që ka vulën, lekët e taksave dhe kohën televizive) është një qytetar i zakonshëm.
Çuditërisht u prekën edhe pse posteri ishte për të korruptuarit, por ndoste estetikën urbane të kryeqytetit tonë. Për këtë ndoshta më mirë të mos komentojmë. Ama një barcaletë të vjetër ma kujtoi. Atë me policët që po ndiqnin hajdutët me vrap. Dikur në lodhje e sipër polici thërret: ndalo mor bir kurve!
Njëri nga hajdutët i thotë shokut: vazhdo ti se mua më njohën!
Edhe ne ju njohëm!