Koncert në fund të stinës dhe kronikë rrogash

0
41
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

AGRON GJEKMARKAJ

Të gjitha i kisha menduar, por skenën që gjeta sot në korridorin e Kuvendit jo.

Ishte befasuese, e pazakontë, gjenuine dhe spontane. Te shkallët e brendshme ç’të shihje! Ishte krijuar një kor që e dirigjonte Ed Shalsi me dy pirunë që i kishte marrë te kafja.

Ata po këndonin këngën që rapsodët popullorë nga Dukagjini i kushtuan Elisës.

Në rreshtin e parë ishte Klotilda, Blerina, Mimi di Puccini, Debora dhe Edona, të cilat me patos limonin vargjet e para “lulëzoi fusha, lulëzoi mali, o në Shkodër erdhi Spiropali” dhe në një rresht me sipër ishin burrat zëtrashë: Nasipi, Fadili, Kollçaku, Xhemali, Fatmir Xhafa me vargjet “por si Shota e Dardanisë me i dhënë drejtim Bashkisë!”. Braçe bënte si orkestër notat muzikore tring, tring, tring. Majko që kishte vënë dhe një qeleshe malësie në kokë i binte çiftelisë sa telat nxirrnin xixa.

Ai i kërkonte Fatmirit të qëronte zërin edhe më. Hyra disi me rropame, Shalsi kafshoi buzët dhe lëshoi një shshshtttt qortues. Mora vesh që po përgatisnin një koncert me këngë nga fushata që t’ia këndonin Babos sapo të jepte myzhdenë e rritjes së rrogave.

Ikonomi kishte sjellë një tavë me petulla që kundërmonin aromë, duket për të motivuar këngëtarët. Nën zë u thoshte: “Ju vetëm na nderoni, këndoni bukur, se ju bën halla petulla sa të doni”. Aty frymëzimi shtohej.

Të gjithë ishim në ankth për fatin e rrogës. Pa përjashtim i duan paratë qerratenjtë. Naaaa iu skuqën sytë, u bëhen prush nga vringëllima e metelikut, tingull i tij i deh. Delina Ibrahimi nuk ishte e përqendruar. Një ëndërr e tmerrshme ia kishte bërë gjumin qeder sikur Anila Denaj do kthehej prapë t’i zinte vendin. Babo e thirri dy herë dhe asaj i ngjante sikur ai e quante Anila. Nuk qeshte si zakonisht.

Kolegët namuzqarë donin ta mbanin mirë edhe me opinionin si gjinde qelibar, por dhe lekat t’i merrnin. Ah firaunër, firaunër!

Sytë u ndrinin kur ndonjë si unë fliste hapur, “na jepni more të uruar rrogën që na takon, jeni të vonuar e të mangët, zgjidheni qesen”.

Një keqkuptim ndezi flakët e ferrit mes mësuesit të estetikës dhe nxënësit, mes Dash Sulës dhe meje.

Si Akili me Hektorin krejt si vetë Titanët e bëmë mejhanen të shkundullohet zemërimi.

E filloi me mallkim, oshtiu “haram kollaret e shamizat që të mësova t’i përdoresh, mos i gëzofsh”! “Mos hatri i zotit, mos e thuaj atë fjalë, iu gjegja, jetën merrma, shamizën jo”.

Arsyeja triumfoi mbi armët dhe puhiza zaptoi shpirtrat tanë lënduar pezmi.

Seanca filloi. Babo me një kostum blu të hapur erdhi dhe bënte muhabet shtruar me Belen, i cili buzëqeshte nën pushtetin e kënaqësisë, ndërsa të tjerët i vadiste toku me ndonjë llaf, të cilit i gëzoheshin si ujit të paket. Niko priste me kafen në dorë, pa, ç’pa, e piu vetë.

Foli Babo e u betua: “Do ta bëj këtë vend Xhehnet, more lanetër, që ma plasët shpirtin, do rris rrogat, do t’u jap edhe ju ca grosh magjes nuk i meritoni”. Ulëm kokën ne që të mos e zemëronim e psherëtima bereqaves! Tao, Etilda dhe Toni shikonin këtej si për të na thënë e shihni “Babo, e zgjidhi qesen, Babo është i mirë dhe i dlirë, Babo na ka xhan, ai na bën derman”. Kur fap, Babo tha: “Po të jetë për mua, bëj amendament dhe pas një viti t’i merrni”!

Pamë andej unë, Jorida, Gazi, Dhurata, Saimiri nga të majtët. Babo në sy kishim fjalët qenka shpirtkazmë, na bëri gjakun ujë i paudhi, duam lekët tona, duam lekët tona thirrëm dhe lotët gati kishim në cep të bebëzave.

Babo iku. Pllakosi heshtja e mërzia. Ishte mbyllur në një zyrë. Dërgatat shkonin e vinin. Ai e kishte pyetur Niko Nikoqirin ç’do bësh me lekat që do marrësh shtesë.

Ai paskësh thënë do blej cd me këngët e Tezes dhe Tërmetit kënduar lëndinave e kushtuar juve që t’i shpërndaj. Nuk e kishte bindur shumë.

Po këtë pyetje Çyrbes? Ai: “Babo mos na jep lek hiç, ç’i duam lekët, ti shyqyr që nuk na merr e të shohim gratis, por meqenëse ke bërë kabull, do gjej nuse se kush më merrte me rrogë aq të vogël”! Babo kroi mjekrën e mendoi ky e meriton. Kurioziteti e kishte shtyrë për të ditur çfarë mendon Damua? Ai e kishte habitur me xhevapin e tij. Do t’ia çoj Ditmir Bushatit shtesën se nuk e fut dorën në xhep kurrë e t’i jap një shans me u bë kavalier, kësisoj ha më shumë e flet me pak kundër teje.

Ulsiu ishte më i qartë! “Edhe pse jam si zog dreqit, do blej rroba sportive e çorape të kuqe që të ngjaj”… “Mirë, mirë, i tha ai, po eleganca nuk është çështje mbulesash”. “E di, mor burrë, tha Ulsushi, po avash, avash”. Çuçi ishte më origjinal dhe e la pa fjalë kur ai e pyeti “hë, mo, do kurosh mjekrën”. “Jo, mër shef, i tha, do ble do shama se i kam dobësi qysh i vogël se po bëhem kaps me byrekë”.

Trokiti Debora: “Hë, moj bijë, ça do blesh me lekët e shtesës?” “Babo, Babo, unë nuk dua para, dua të më kesh xhan dhe të më lësh ministre sa më gjatë se me pëlqen të rri aty sipër dhe ta shoh botën nga lart”. “Ik, Ik, or dreq”, i tha ai.

Nejse, pas shumë lutjesh e qarjesh e vuri dorën në zemër.

Salianji më preokupoi shumë. Ishte meditativ, fjalëpakë e nostalgjik. Dhe për habi fliste vetëm mirë, burrë i mirë ky, grua e mirë ajo! E pyeta në ka temperaturë, por jo nuk kishte. Allah, allah, thashë, po rrezikon të bëhesh shpirt njeriu, mor evlat.

Jorida dukej si ulliri i paqes për nga ngjyrat dhe pas dy vitesh ndenjëm në kafe pa e pirë atë. Gaz Bardhi, që është edhe Papë, edhe Perandor, më foli si dikur motit me njerzillëk e qashtërsi, sikur u pendova që jam treguar kurnac me të se jam i ndjeshëm e thyhem shpejt. Kosta i Gramozit dhe i Linditës kishte mbetur si jetim, as i hahej, as i pihej, ndonëse ne gëzonim për mexhitet. Ai si kali i Skënderbeut për të zonte përlotej për mungesën e Linditës. Ç’ke i thosha. Ja, këtu, ke Babon! Unë jam i krishterë tha, kam trinine e shenjtë, Babo Gramo dhe Lindita. Nuk është njëri bie në zali.

Fatmir Mediu prapë me ndenji rëndë, më ndëshkoi me dy shikime të vëngërta dhe si lider më la të pres e vetëndëshkohem në ankth. Arben Pëllumbi më pa si triumfator! E kupton tha që besimi i patund nuk të lë në baltë, ndaj nuk e njoha frikën kur ktheheshim me Balonë nga Italia. E sheh mor gojëprishur që Babo na qiti në selamet!

Tigrushi ishte ngjallur së vdekurish. Kishte pyetur është në qejf Babo? Është, i thanë, dhe erdhi. Me përgëzoi për fjalën në Kuvend dhe më hodhi një romuz që bëra sikur nuk e kuptova. Mëria e Babos po e demitizon Tigrushin dhe po e bën njeri. Margeriti ishte aq mbi re sa nuk dukej. Mungesa e Gertës më shkaktoi mall ditën kur lekët binin mbi ne si shi!! Mund të na binte ndonjë hata nga gëzimi e ajo nuk ishte aty të na bënte gjilpëra me heqimët që ka nën hyqëm. Dikush tha se Etilda do bëhet prapë ministre. Ajo iku si djalli nga temjani, pat frikë ta dëgjonte. Dy gëzime në një ditë janë shumë. Në fund, pasi miratuam ligjet, kënduam “bjeri kavallit ti barku jem, si bilbili që këndon në gem”! Ishallah Tao nuk na kërkon përqindje për lobimin që bëri.

Zjarr Tv Ad