Avokati Spartak Ngjela ka folur për në veri të Kosovës dhe tensioneve të krijuara pas marrjes së detyrës nga kryekomunarët shqiptarë në 4 komuna me shumicë serbe.
Ngjela bëri një parashikim për atë që pritet të ndodhë në Kosovë duke marrë si analogji largimin e Partisë Demokratike nga zgjedhjet lokale në Shqipëri. Ngjela tha në Euronews Albania se protestat do të shuhen dhe shqiptarët nuk do t’i lëshojnë drejtimin e komunave.
Madje Ngjela bëri dhe një parashikim afatgjatë, teksa tha se serbët në veri të Kosovës në një të ardhme do të shpërngulen dhe do të shkojnë në Serbi pasi aty është tokë shqiptare.
“E pe se si përfundoi PD që u largua nga zgjedhjet, jo vetëm që u përça, por fituan vetëm 4 fshatra. Pse? Se ikën si injorantë nga zgjedhjet. Edhe këta ikën nga një vend që duhet të ishin atje. Ikën dhe ua dhanë shqiptarëve. Ku i lëshojnë shqiptarët ato tani.
Çfarë do të ndodhë tani sipas mendimit tim. Do ikin ata. Koha do tregojë që serbët do ikin në Serbi, është tokë shqiptare atje. Ata kanë 4 ose 5 vjet që kërkojnë ta bëjnë federatë serbo-shqiptare. Menduan se thyen presidentin që është në burg, bëri lëshime që Kurti nuk i pranon. Tani ka ardhur Kurti që është nacionalist.
Ata nuk e bëjnë dot federatë dhe fakti që s’e bëjnë dot federatë do ikin do thyejnë qafën. Ata janë pushtues, nuk i kanë quajtur etni në legjislacionin e tyre, i kanë quajtur të ardhur dhe nuk mund të bëjnë dot federatë”, tha Ngjela.