Ç`na la pa gjumë ky “Lul gjumashi”

0
68
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga:Poli Hoxha

Për të parë më qartë interesat afatgjata të kastës politike dhe ekonomike shqiptare që sundon në Shqipëri, nuk ka nevojë që përfaqësuesit e saj ti përgjosh nga vrima e çelësit. Mjafton që të monitorosh mediet, emisionet politike, analistët, gazetarët dhe të bësh një bilanc të qëndrimeve të tyre në kohë të ndryshme.

Për shembull përpara 14 majit, kishim një panoramë të tillë të zërave që i drejtohen dhe përpunojnë opinionin publik: Një pjesë ishte e pozicionuar qartazi, pro pushtetit të Edi Ramës; Një pjesë tjetër e madhe, pro lëvizjes “opozitare” të Berisha- Metaj: Të tjerë që numërohen, as me gishtat e dorës, kundër të treve dhe kastës 32 vjeçare në përgjithësi.

Brenda atyre pro Ramë kishte që sulmonin Berishën, herë fortë e herë me gjyle pambuku, por edhe shumë që e paraqisnin atë si të vetmen alternativë që kishte gjasa për të rrëzuar shefin e tyre kryeministër.

Te grupimi që mbronte Berishën gjithashtu kishte që sulmonin Ramën fortë, por edhe nga ata që e godisnin gjithashtu me gjyle pambuku. Edhe këta njësoj si kolegët e tyre “armiq” të kampit tjetër, i mbushnin mendjen shqiptarëve se pavarësisht nga vështirësitë kur ke përball një “regjim”, përkrahja dhe votimi i “opozitës” Berisha është e vetmja rrugë që frikëson dhe ka gjasa të rrëzojë pushtetin e Ramës.

Të gjithë bashkë, (përveçse atyre që janë as sa gishtat e njërës dorë), krijuan përshtypjen se në Shqipëri ka vetëm një betejë dhe dy alternativa; Rama dhe Berisha. Pra punuan dhe bënë pikërisht atë që synonte Rama për ti dhënë oksigjen pushtetit të tij të kalbur dhe pikërisht atë që donte Berisha në raport me ndërkombëtarët, si dhe për të mbajtur grusht bashkuar foltoristët e gënjyer.

Në datën 15 maj të gjithë këta dolën blof. Edi Rama nuk e fitoj shumicën e votave të shqiptarëve, por mundi ama me rezultat poshtërues “opozitën” Berisha. Duket si i fuqishëm por pas këtyre zgjdhjeve pushteti i tij është më i brishtë se përpara 14 majit. Rival-ortaku, Sali Berisha, jo vetëm që nuk e mundi dhe e rrezikoi pushtetin e Edi Ramës por u braktis në shumicë, edhe nga demokratët e betuar deri në vdekje si në Shkodër, Tropojë apo Kamzë.

Të dy këta lojtarë, (Se Ilir Metaj ishte veza e sorrës në folenë e pelikanit), të investuar me zell, (pas financimeve marramendëse), nga faktori mediatik, së bashku u mundën nga shumica e shqiptarëve të cilët nuk denjuan të bëhen pjesë e farsës. Beteja e vetme në datën 14 maj ishte ajo e rreth 70% e shqiptarëve kundër Rama-Berishës. Të parët fituan por këtë e analizon pakkush në medie, sepse ashtu është një muhabet!

Pra kjo ishte situata e “pluralizmit” politik dhe mediatik, deri në 14 maj. Më pas u tentua që gjithçka të nisi nga fillimi. Sali Berisha, nuk pranoj asnjë grimë përgjegjësi për humbjen poshtëruese. U vetë-shpall i vjedhur nga pushteti, premton sërish për revolucion imagjinarë i cili vetëm “vazhdon”, por kurrë nuk mbaron. Kurse mediat pro tij nisën me shpejtësi rehabilitimin për ta mbajtur gjallë si lojtarin e vetëm në skenë përball Ramës, deri në vitin 2025. Nga ana tjetër mediet dhe analistët pro-Ramë, tashmë të relaksuarë, vazhduan edhe ata që të mbajnë në lojë Berishën, edhe pse duke e tallur. Biznes e shkuar biznesit vëlla!

Pra të gjithë të lumtur, të gjithë të qetë për benefitet e mëdha që do të vazhdojnë të rrjedhin nga pushteti dhe “Revolucioni”, të paktën deri në vitin 2025. Por ky relaksim dhe vendosja e kasetës së të njëjtit film për ta parë “budallenjtë” shqiptarë sërish nga e para, zgjati vetëm pak ditë.

Pasditen e datës 24 maj, Lulzim Basha, u rishfaq pas më shumë se një viti tërheqje publike dhe partiake dhe përpara një grupi të rinjsh, shpalosi një projekt të detajuar anti-tranzicion:

Çlirim i votës duk zhbërë sistemin aktual zgjedhor dhe ndryshimet kushtuese Berisha-Rama të vitit 2008; Lista të hapura 100% duke zhbërë kryetarokracinë dhe kush do që të dalë deputet, ta provojnë prapanicën dhe të shkojnë jo te kryetari por te populli për të kërkuar votën;

Vetting në politikë, pra sitje e pasurisë dhe lidhjeve me botën e krimit të të gjithë kastës pushtetore dhe partiake në vend. Edhe votën e emigrantëve dhe kufizimin e mandateve.

Imagjinoni sikur Lulzim Basha përveç vettingut të politikanëve të kërkojë edhe atë të medieve, analistëve dhe gazetarëve!

Kaq tha “Lul pengu, i shituri, dështaku” dhe në vend që të shkonte “t`ja fuste gjumit” po i zhgënjen të gjithë, duke vazhduar përditë që ta shpalos këtë projekt në çdo qytet të Shqipërisë.

Dhe ja ku jemi: Ramistë, antiramistë, berishistë, antiberishistë, metistë, antimetistë, majtist, djathtistë, asnjëanistë, pacifistë, djallistë…të gjithë u bashkuan papritur dhe i janë hedhur në kurriz Lulzim Bashës!

O gjumash, pse u zgjove!

Cila mund të jetë ajo dorë, që ka fuqinë që ti bashkojë në Një, të gjithë këta që në pamje të parë ngjasojnë të kundërt dhe deri në 14 maj ishin “armiq” me njëri tjetrin në sy të publikut?!

Pse gjithë ky tërbim i përbashkët kundër atij që po i jep zë këtij projekti, i cili në fakt është hedhur nga amerikanët dhe europianët që në vitin 2017 dhe sot bashkë me drejtësinë e re, shihet si e vetmja rrugë për të rrëzuar kastën 32 vjeçare më të korruptuar dhe kriminalizuar që njeh historia e Shqipërisë?!

Përgjigjen e këtyre pyetje mund ta gjejmë fare kollaj te lejet e ndërtimit, resortet, pronat në bregdet e gjithë andej, te koncesionet, oligarkët, të ftuarit e dasmës së Familjes, aksionierët e medieve, por edhe te vilat, shtëpitë, pronat, llogaritë bankare e te puna si sekserë, e një pjese të mirë të pronarëve të medieve, analistëve dhe deputetëve në të gjithë krahët.

Punët e Kastratit, Manes, Ulajt, familjarëve dhe klinentëve të Ramës, Berishës, Metës dhe suporteve të tyre mediatike siç kanë qenë do të jenë, pavarësisht se për kë votojnë shqiptarët në këtë sistem të kapur.

Jeni në të drejtën e pasurisë dhe rehatisë suaj për të qenë kundër “Lul gjumashit”, i cili po ju lë pa gjumë ende pa nisur mirë me projektin, i cili në fakt nuk është i Bashës, por i shumicës së shqiptarëve dhe aleatëve të Shqipërisë, SHBA- BE!

Ndaj berishistë, ramistë, metistë dhe lektistë të gjithë Shqipërisë, bashkohuni!/Alfapress.al

Zjarr Tv Ad