Korrupsioni i madh që na tregoi rryshfeti i vogël i sekretares së Manastirliut

0
66
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Klodian Tomorri

Tenderi për Lotin e parë në supervizimin e rikonstruksionit të qendrave shëndetësore në Tiranës dhe Durrës u fitua nga kompania Dricons për 672 mijë lekë. SPAK thotë se sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë mori 330 mijë lekë rryshfet, pra gati 50 për qind.

Si ka mundësi që një biznes paguan gjysmën e vlerës së një kontrate publike si rryshfet? Si mund të kryejë punën kompania, të paguajë rrogat dhe më pas të shlyejë taksat në shtet duke dhënë rryshfet gjysmën të ardhurave? Teorikisht kjo është e pamundur. Por praktikisht ka 3 mundësi.

Opsioni i parë është që vlera e fondit limit të ketë qenë e fryrë me 300 për qind mbi koston reale. Pra që kostoja e vërtetë e supervizimit nuk ka qenë 800 mijë lekë sa ishte vendosur fondi limit i tenderit, por 250 mijë lekë fjala vjen.

Opsioni i dytë është që vlera e fondit limit të jetë përllogaritur në mënyrë korrekte, por kompania supervizore nuk e kryen shërbimin fare. Pra rikonstruksioni i qendrave nuk supervizohet dhe kompania vetëm sa firmos letrat fiktivisht.

Mundësia e tretë, që me shumë gjasa është ajo më afër të vërtetës është kjo. Fondi limit është përllogaritur korrekt dhe përfaqëson vlerën reale të kostos, por supervizori që paguan gjysmën si rryshfet tek sekretarja e Ministrisë së Shëndetësisë, i merr rryshfet kompanisë që bën rikonstruksionin për t’i firmosur letrat.

Me pak fjalë një zinxhir rryshfetesh që ushqehet nga kontratat publike. Kompania që ka fituar tenderin për rikonstruksionin e bën punën jashtë standardeve dhe me cilësi të dobët. Për të certifikuar punimet sikur janë në rregull dhe në përputhje me kërkesat e tenderit, i paguan rryshfet supervizorit. Këtu dalin fitimet e supervizorit. Ndaj ai është i gatshëm të paguaje gjysmën e vlerës së tenderit për rryshfet.

Kjo është ajo që ndodh masivisht në kontratat publike sot. Nga ato më të voglat deri ato që vlejnë dhjetra milionë euro. Këtë histori bëjnë të gjitha kompanitë e mëdha të ndërtimit që fitojnë kontratat miliardere të punëve publike. Një zinxhir i madh rryshfetesh që përfundon gjithmonë atje, në qeveri.

Por SPAK nuk e hetoi çështjen plotësisht që ta ekspozonte deri në fund zinxhinin e korrupsionit. Sepse po ta hetonte ndoshta mund të zbulonte se edhe kontrata e rikonstruksionit të qëndrave shëndetesore është fituar po me rryshfet. Ndaj e mbylli punën me 330 mijë lekëshin e Joanës.

Dhe në fund ka dhe një pyetje? Kush ishte biznesi që ja dha rryshfetin kësaj? Sa kontrata supervizimi ka fituar nga qeveria? Se rreziku është që në të gjithë ato kontrata të ketë vepër penale. SPAK s’po na e thotë as këtë.

/Oligarkia.al

Zjarr Tv Ad