Sikur Rama ta donte Kosovën sa Georgia Melonin

0
80
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Andi Bushati;

Kush e ka ndjekur prezantimin e Edi Ramës në skenën ndërkombëtare nuk e ka të vështirë të kuptojë se atë e llahtaris monotonia.

Ai ka frikë nga të qenit i zakonshëm, apo nga kopjimi i modeleve të paracaktuara.

Kështu në formë ai i sfidon të gjithë, duke u paraqitur në samitet ndërkombëtare me Adidas-e.

Ai do të bjerë në sy me ç’do çmim, duke thyer regullat e protokollit ashtu si në përqafimin e fundit, gati erotik, me Georgia Melonin.

Edhe në artkulim kjo sjellje nuk ndryshon. Ai i shmanget peshës së një vendi mikroskopik, duke provokuar në mes të Brukselit, se Shqipërisë i erdhi në ndihmë presidenti Erdogan dhe jo BE-ja, atëherë kur i duheshin vaksinat.

Ai nuk nguron të jetë tejet kritik ndaj makinerisë përtace dhe burokratike të Brukselit, kur bëhet fjalë për procesin e Berlinit apo integrimin e vendeve të Ballkanit Perendimor.

Pra Edi Rama sillet si një politikan atipik, që përdor çdo metodë për t’u pikasur në foton e familjes së të mëdhenjve.

Me një përjashtim të vetëm…

Kur bie fjala për konfliktin Kosovë-Serbi, kryeministri ynë bëhet po aq kuadrovik shabllon sa homologu i tij Kovaçevski, që e mbante në krah gjatë samitit të Bratislavës.

Së paku që nga koha e presionit për heqjen e taksës 100% të Haradinajt e deri në konfliktin e fundit për futjen në zyra të kryetarëve të komunave me shumicë serbe, ai kopjon me pikë e presje të njëjtën gjuhë dhe të njëjtat qëndrime që vijnë të gatshme nga Uashingtoni dhe Brukseli.

Në cicërimat në Twitter, në fjalimet jashtë vendit dhe në intervistat për mediat e huaja, ai i ngjan një diplomati të rangut të ulët, që e kanë privuar nga e drejta për të pasur fantazi, që e kanë zhveshur nga mundësia për të përdorur nuanca dhe ngjyra.

Eshtë njësoj sikur dikush ta kufizonte në pamje dhe ta ndalonte të vishte patikat me tre viza apo kravatat që i dizenjion vetë.

Me Ramush Haradinajn ai u tregua aq i ashpër sa dhe ky i fundit u detyrua të deklarojë se më shumë presion i bënte Rama, sesa Merkel dhe Macron.

Edhe me qasjen e Prishtinës në dialog ai është sjellë, jo si kryeministër i Shqipërisë, por si zëdhënës i perëndimit, duke paralajmëuar se ndërkombëtarëve po i soset durimi me Kosovën.

Kjo vijë sjelljeje është bërë e njëtrajtshme që kur nisi konfikti për recipoocitetin e targave, në shtator 2021.

Sa herë kishte tension, kryeministri i Shqipërisë ose heshtte, ose priste më shumë se 24 orë për tu përgjigjur, sa t’i vinte ndonjë rekomandim nga jashtë, madje dhe kur e bëte këtë nuk thoshte asgjë më tepër sesa ajo që publiku kishte dëgjuar nga Borelli, Lajçaku apo Escobari.

Pikërisht e njëjta gjë po përsëritet edhe në krizën e fundit, Edi Rama e kritikon Albin Kurtit se nuk u rakordua me ndërkombëtarët, e fton të dëgjojë këshillat e tyre dhe ndahet prej tij në këndvështrimin se ka një tendencë në SHBA dhe Bruksel për të përkëdhelur më tepër Serbinë në raport me Kosovën.

A mund të bënte më shumë, mund të pyesë dikush? Natyrisht që po, mjafton të shikosh qëndrimin që mbajti në samitin e Bratislavës, kryeministri i një vendi të BE-së, Andrej Plenkoviç.

Ndonëse nuk ka asnjë interes nga Shqiptarët, po vjen prej një vendi që e di se ç’është hegjemonizmi serb, ai deklaroi se e kupton qëndrimin e Kosovës.

Ai tha se rruga e duhur është: kërkesë faljeje për krimet e Millosheviçit, njohje e ndërsjelltë dhe vetëm pastaj normalizim.

Vetëm ky qëndrim tregon se sa larg është Tirana zyrtare ndaj mbrojtjes së interesit të Kosovës.

Edhe në ëndërrat më të bukura, asnjëri nga ne, nuk e ka imagjinuar të dëgjojë një qasje të tillë nga kryeministri shqiptar.

Kur vjen puna për Kosovën Rama bëhet steril dhe monoton, ai heq dorë nga gjuha spektakolare për të përdorur atë të një referi ndërkombëtar.

Arsyeja se pse kjo ndodh është analizuar nga këndvështrime të ndryshme edhe në artikuj të shumtë.

Ajo mund të ketë lidhje, ashtu sikurse mendoj dhe unë personalisht, me raportin okult që ai ka ndërtuar me presidentin Vuçiç.

Të tjerë këmbëngulin se mund të jetë rjedhojë e përqafimit të idesë se Ballkani mund të paqtohet vetëm duke shmagur tensionet dhe gjuhën e urrejtjes.

Ka dhe ide që theksojnë një bindje të brendëshme, se Prishtina s’mund të arrijë asgjë pa bërë si i thonë ndërkombëtarët.

Por, në fund të fundit, për peshën e deklaratave të Edi Ramës, secila nga këto hipoteza kanë pak rëndësi.

Fakti është se kur flet për Kosovën ai nuk thotë asgjë.

Ai humbet ndërmjet frazave standarte të cilave i është tretur jehona apo kurioziteti, sepse të gjithë i kanë dëgjuar më parë, të shprehura nga arbitrat ndëkombëtarë.

Prandaj, kur i duhet të flasë për këto, nuk ka lirshmërinë e përqafimit me Melonin, por duket si i veshur si me kostum teritali.

Zjarr Tv Ad