Në Kosovë organizatat e gazetarëve kanë rritur shqetësimin e tyre ndaj orkestrimit të sulmeve që drejtuesit e Vetvendosjes dhe ndihmësit e afërt të Kryeministrit Albin Kurti po ndërmarrin ndaj gazetarëve kryesorë kritikë në vend, lidhur me konfliktin e fundit. Një sërë montazhesh dhe lajme false qarkullojnë në rrjet, postuar nga njerëzit më të afërt të kryeministrit dhe ripostuar pastaj nga rrjetet e angazhuara pro tij, përfshi dhe mediat pro opozitës antiperëndimore në Tiranë.
Berat Buzhala, një gazetar kritik me Kurtin, dikur mbështetësi më i madh i tij në vitin 2019, kur erdhi në pushtet, është bërë tanimë objekt sulmesh për çdo orë me video montazhe dhe foto false, ku “dëshmohet” bashkëpunimi dhe koordinimi i tij me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Edhe gazetarë të tjerë dhe politikanë kritikë me Kurtin po klasifikohen të gjithë si bashkëpunëtorë të Serbisë.
Fushata është banale, mediokre dhe shpesh qesharake, dhe dëshmon më shumë frustrimin dhe nivelin ordiner të atyre që mbështesin Albin Kurtin, se sa ndonjë problem tjetër.
Por Albin Kurti dhe pasuesit e tij nuk e kanë vetëm me gazetarët.
E kanë njësoj me drejtuesit e opozitës që po kërkojnë dorëheqje të tij, siç është rasti i Haradinaj, e kanë me Memli Krasniqin, pse i ka nxjerr nga zyra, 2 nga 4 “të zgjedhurit në veri të Kosovës, për të mos ndenjur kot në facebook brenda zyrave bosh me policë tek dera, e kanë me Abdixhikun e LDK, i cili edhe pse nuk e ngre aq fort zërin kundër shkatërrimit të raporteve me Perëndimin që është identiteti i LDK, i mjafton fakti që nuk mbron Kurtin, për të qenë i sulmuar, e kanë me ambasadorin e SHBA në Prishtinë, me përfaqësuesin e SHBA në rajon, me Departamentin e Shtetit, me Borellin në Bruksel, me Viola Cramon e gjithkënd tjetër, që nuk mbështet marrëzinë e Albin Kurtit.
Me logjikën me të cilën Albin Kurti po sulmon me gjuhë barabare gazetarët kritikë me të, duke i quajtur bashkëpuntorë të Serbisë, dhe duke parë si janë ndarë kampet, i bie që përveç gazetarëve kritikë me të, bashkëpunëtorë të Serbisë të jenë të gjithë të sipërpërmendurit, që nga opozita në Kosovë, Bashkimi Evropian qeveria e SHBA etj. Nuk po hyj në Shqipëri se ketu nuk marrin seriozisht as Kurtin e jo më trushëplarët e tij, përveç Berishes me të cilin e bashkon halli kundër SHBA.
Nuk di ndonjë kryeministër të Kosovë që prej lirisë së saj më 1999, që të ketë një listë kaq të gjatë armiqsh publik në dispozicion të kryeministrit. Nuk di ndonjë kryeministër si Albin Kurti në historinë e Kosovës por dhe të Shqipërisë, përveç Enver Hoxhës, që të shpallë gjithë botën armike, dhe të shpall veten i rrethuar nga të gjitha anët nga armiq.
T’i shtosh vendit tënd kaq shumë armiq, pa i pasur ata, t’i shtosh shoqërisë tënde kaq shumë armiq pa qenë të tillë, dhe mbi të gjitha t’i ofrosh armikut tënd fqinjë kaq shumë aleatë pa t’i kërkuar, dhe pa qenë të tillë, duhet të jesh më shumë se bashkëpunëtor i Serbisë, më shumë se mik i Vuçiqit . Duhet të jesh shembull dhe për Vuçiqin, për nderin që po i bën Serbisë. Dhe mbi të gjitha për t’i treguar atij dhe serbëve të tjerë, mënyrën se si ndihmohet Serbia në kohë krize.