Nëntë turistë u arrestuan në 10 ditët e fundit në Dhërmi, të cilët punë parësore në vendin tonë kishin shpërndarjen e lëndëve narkotike të forta sintetike. Në mesin e të arrestuarve janë 4 anglezë, 1 spanjoll, 1 brazilian, 1 italian dhe 2 argjentinas. Atyre u janë gjetur sasi të konsiderueshme dozash ‘GHB’ – Gamma Hydroxybutyrate, një drogë me efekt kënaqësi deri në abuzim seksual, e cila sipas kriminalistit Ervin Karamuço mund të sjell edhe vdekjen.
“GHB është lëndë narkotike që ne i themi narkotiku i abuzimin seksual, i përdhunimeve, për shkak se krahas euforisë dhe eksitimit të trupit jep edhe halucinacione, në të cilat ti jep mesazhe që kërkon të hysh në marrëdhënie me një partner, ndërkohë që këto keqkuptohen dhe më pas përmes tyre abuzohet me këta të rinj”, tha Karamuço.
Por çfarë rrezikojnë të rinjtë me përdorimin e kësaj lënde narkotike që brenda vendit tonë është e rrallë.
“Kalon pastaj në gjendje kome, arrest kardiak e deri në vdekje. Janë lëndë depresante, në përzierje me alkoolin e dyfishojnë, trefishojnë efektin e tyre dhe kjo bënë më të rëndë”, tha Karamuço, ekspert kriminalist.
Prodhimi i GHB është i thjesht dhe përbërja e saj janë kombinimi i disa detergjentëve.
“Mund të prodhohen me disa lloj detergjentesh kimik që ne pastrojmë tualetet në shtëpitë tona dhe mësohet lehtë përgatitja e tyre edhe në disa faqe ku ka instruksione nga interneti, por janë të rrezikshme”, u shpreh Ervin Karamuço.
Turistët kanë mundur ta fusin drogën GHB përmes pikave tona kufitare dhe rrezikon ta kthejnë në trend.
“Ka dështuar pra kontrolli kufitar dhe i është lënë në dorë vetëm oficerëve të policisë kriminale, sidomos të Vlorës, për të bërë survejimin dhe arrestimin e tyre. Ky trend që duket i përkohshëm mund të na kthehet në fenomen real, të qëndrueshëm edhe për përdorim vendas”, tha Karamuço.