Nga Nikoll Lesi
Albin Kurtin nuk e njoh nga afër. Para pak vitesh “KOHA JONE” e shpalli “Njeriun e Vitit”, ndonëse ishte me pikë të barabarta me Edi Ramën. Albini është njeri idealist, por që nuk jeton në realitetin e sotëm të këtij shekulli. Albini duket se është edhe kokëfortë, por në politikë e në diplomaci kjo nuk është veti për të mbrojtur popullin tënd, sidomos kur akoma nuk je shtet anëtar në OKB.
Dje Edi Rama doli dhe tha gjithcka që publiku në dyja anët e kufirit, por edhe në krejt botën shqiptare, e dëgjuan. Disa e sulmuan, të tjerë e keqkuptuan, sikurse ka plot që i japin të drejtë kryeministrit shqiptar.
Së pari Albin Kurti po ndeshet me SHBA, krijuesin e shtetit kosovar. E kjo është mungesë vizioni ose më e pakta idiotsi në kushtet kur botën e drejton pikërisht SHBA, pasi Rusinë e kanë futur në një konflikt pa fund me Ukrainën e roli i saj sikur është zbehur disi, ndonëse luani mbetet luan, edhe i plagosur!
Së dyti, Albin Kurti nuk denjoi të konsultohej me Tiranën zyrtare. Dhe sot ai që e drejton Shqipërinë është Edi Rama. E duam apo jo, por është kryeministër, bile me shumë se kaq, pasi ka aleancë të fortë më Uashingtonin zyrtar. Përveç kësaj Albin Kurti edhe për respekt, jo vetëm për interes për Kosovën, duhej të fliste më përpara më Edi Ramën. Dje Rama e ruajti me kujdes, ndonëse i dha një shpullë të fortë turinjve me anullimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.
Dhe duhej një shpullë, sepse edhe në një familje, kur fëmija të bën naze apo të krijon probleme me komshinjtë apo më miqtë, njeriu duron e duron, por një dreq shpulle ia jep turinjve. Eshtë shpullë që ta kthejë në vete.
Kosova është pjesë e kombit shqiptar, por akoma jo shtet në OKB, ndaj është shteti amë, Shqipëria që e ndihmon, ia mbulon krahët nga armiqtë, por nuk mund ta ruajë nga miqtë. Dhe për me tepër edhe për imazh të komshinjtë dhe miqtë, duhej që Albin Kurti të vinte në Tiranë e të takonte presidentin Begaj dhe kryeministrin Rama.
“Një mendje-hiç mendje, dy mendje-një mendje”, thuhet në gjuhën popullore. Kështu që Albin Kurti edhe ka minuar punët e tija, të Kosovës por edhe ka fyer shtetin shqiptar.
Së treti, Albin Kurti duhet të kuptojë se nuk ka asnjë shans ta zgjidhë me kokën e tij këtë problem madhor për Veriun e Kosovës, ai duhet të ulet me opozitën në Prishtinë. Të ulë hundën dhe të dëgjojë!
Ndryshe Kosova do të humbë ndërkombëtarisht, por edhe Albin Kurti do të rrëzohet nga pushteti për të mos u ngritur më.