Partia Demokratike e Shqipërisë i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama që të njoftojë presidentin Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të reja në qytetin e Kukësit.
Ky reagim ka ardhur pas publikimit të videos me përmbajtje eroktike të ish-kryetarit të Bashkisë Kukës, Safet Gjici.
Në një njoftim për shtyp, PD ka sjellë në vemendje disa pika që sipas tyre lidhen me pushtetin dhe abuzimin e tij.
Sipas njoftimit, përdorimi i zyrës së kryebashkiakut Gjici si një dhomë gjumi apo shtëpie publike, shënon mungesë respekti për institucionet dhe votuesit.
Më tej në njoftim, Partia Demokratike thekson se vendi i Kryetarit në Bashkinë Kukës është tashmë vakant dhe i kanë bërë thirrje Ramës që të njoftojë presidentin Bajram Begaj që të shpallë sa më parë datën e zgjedhjeve.
Njoftimi i Partisë Demokratike:
Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë Video e publikuar sot, që përmban një regjistrim të pahijshëm të kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, ka sjellë në vëmendje të opinionit disa fakte që lidhen me pushtetin dhe abuzimin me të.
Së pari, është përdorimi i zyrës së kryebashkiakut si dhomë gjumi apo shtëpie publike, çka shënon mungesën e respektit për institucionet dhe për votuesit.
Së dyti, është shenjë se pushteti i fituar pa të drejtë, me para dhe abuzime elektorale, çon në sjellje të tilla të padenja për një funksionar publik dhe prind.
Së treti, video e Gjicit është shenja se pushteti i Edi Ramës nuk ushtrohet ndryshe veçse duke shkelur ligjin dhe kodet e etikës, duke përdhosur zyrat e shtetit. Pushtetit të tij nuk i mjaftojnë shtëpitë, hotelet, makinat.
Ky pushtet, pasi merr me forcën e abuzimit elektoral zyrat e shtetit, i kthen ato në “distrikt të dritave të kuqe”. Ky është një sistem që ngrihet prej një dekade tashmë, dhe video e Gjicit është simptoma e kësaj mënyre të ushtruarit të tij.
Abuzimi me postin, të konsideruarit e detyrës si mundësi për të kënaqur funksionarin dhe jo shërbyer qytetarin, për të ushtruar presion, merr formën më të plotë gjatë fushatës elektorale dhe zgjedhjeve. Safet Gjici, si produkt i zgjedhjeve të abuzuara dhe shtrembëruara, nuk mund të kishte fund tjetër.