Ish-drejtuesi i policisë Arben Hajdarmataj ishte i ftuar në “Now me Erla Mëhillin” për të folur rreth video-skandalit të kryebashkiakut të Kukësit.
I pyetur nëse me shkarkimin e Gjicit, kryeministri Rama “i lau duart” me Gjicin, Hajdarmataj tha se Rama ka vepruar njësoj siç ka bërë me të gjithë zyrtarët e tjerë të Partisë Socialiste që janë përfshirë në skandale të tilla.
“Fenomene të tilla ndodhin, nuk mbyllen me fenomenin e Gjicit. Nëse do analizojmë të gjitha veprimet që kanë ndodhur me zyrtarët në gjithë këto vite, në të gjitha rastet Edi Rama i ka larë duart siç i lan duart Edi Rama. Duke filluar nga Tahiri ku tha se përgjegjësia është individuale, pavarësisht se ishte ministri më rezultativ.
Po kështu i lau me Dakon që është në burg, ai tha se Dako është miku im por përgjegjësia është e tij, ashtu i lau edhe me Ahmetajn dhe Xhafën, me të gjithë bashkëpunëtorët e tij. Mendoj se 90% e tyre, të gjitha fenomenet, sidomos kur flas për Tahirin, nuk e ka bërë pa miratimin e Ramës, pasi një fenomen të tillë nuk e merr dot një ministër apo kryabashkiak pa miratimin dhe bekimin e kryetarit të qeverisë”,-tha Arben Hajdarmataj për Euronews Albania.